Sonte në Kosovë protestohet nga ballkonet

19 mars 2020 | 08:09

Organizata “Replikë” sonte organizon një protestë në të gjithë vendin ndaj situatës aktuale politike në Kosovë në kohë krize pandemie.

Qytetarët janë ftuar që sonte në orën 20:00 të dalin në dritare ose ballkone dhe për pesë minuta të bëjnë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si çelësa ose tenxhere dhe lugë.

E gjithë kjo për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucionalë në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas i Kosovës.

“Sot qytetarët e Kosovës në kohë pandemie po përballen me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës. Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të punojnë për menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia Covid 19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Sipas tyre, revolta dhe protestimi prej ballkonit e ka një simbolikë historike te qytetarët e Kosovës, pasi gjatë viteve ’90 qytetarët e Kosovës nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për ta shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 209 500 raste infektimi dhe 8 784…