Ambasadori i ri amerikan: Do ta mbështesim Kosovën në proceset euroatlantike
Këtë të hënë në Kosovë ka arritur ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara, Jeffery Hovenier.
Hovenier u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ku në konferencë për media, ai u shpreh se njerëzit në Kosovë kanë bërë atë çfarë kanë pasur nevojë ta bëjnë në nivelin global si dhe të krijojnë një shtet të suksesshëm multietnik.
Hovenier tha se e ardhmja e Kosovës varët nga liderët e saj, teksa shtoi se ka ende punë për të bërë.
Ai ka thënë se SHBA-të do të vazhdojnë të jenë partner të Kosovës.
“SHBA-të janë partner dhe kjo do të vazhdojë. Një gjë që dua të them se ne jemi miq, jemi në anën tuaj dhe ne do të punojmë me qeverinë tuaj, shoqërinë civile, me qytetarët që t’i çojmë përpara prioritetet dhe siç është thënë në Samitin për Demokraci, e mbështesim zhvillimin e institucioneve tuaja, të sundimit të ligjit. Do të vazhdojmë të mbështesim Qeverinë e Kosovës në rrugën e saj drejt institucioneve euroatlantike dhe ta ketë rolin e duhur në rajon në kontekstin paqësor”, ka deklaruar Hovenier.



