2024, viti më i nxehtë në histori të Evropës

11 gusht 2025 | 08:05

Zjarret në Evropë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rrezikshme, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe sjelljes njerëzore, të cilat së bashku po krijojnë kushte ideale për katastrofa të përmasave të mëdha.

Agjencia Evropiane e Mjedisit ka konfirmuar se viti 2024 ishte viti më i nxehtë në Evropë që nga fillimi i matjeve më 1940, ndërsa kushtet gjithnjë e më të thata dhe temperaturat e larta po krijojnë peizazhe shumë të ndezshme, sidomos në Evropën jugore dhe qendrore.

Portugalia është vendi më i goditur këtë vit, duke regjistruar gati 450 kilometra katrorë tokë të djegur, sipas të dhënave zyrtare. Zjarret shpërthyen fillimisht në ishullin e Madeirës në fillim të sezonit dhe më pas u përhapën në pjesën kontinentale në mes të shtatorit.

Pas Portugalisë, Bullgaria me 310.9 km² dhe Spanja me 186.5 km² janë vendet ku flakët kanë shkatërruar më së shumti.

Megjithatë, ky nuk është viti i parë kur Portugalia përjeton katastrofa të tilla. Në vitin 2017, 117 persona vdiqën dhe mbi 900 kilometra katrorë tokë u dogjën, duke e bërë atë sezonin më shkatërrues në historinë e vendit.

Pavarësisht se sezoni i zjarreve nuk ka përfunduar ende, vetëm deri më 15 korrik 2024, Portugalia ka regjistruar tre herë më shumë tokë të djegur krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Institutit Kombëtar Portugez për Ruajtjen e Natyrës dhe Pyjeve.

Në nivel të Bashkimit Evropian, mesatarisht 3,770 kilometra katrorë tokë digjen çdo vit nga zjarret – një shifër alarmante që përfshin rreth 10% të pyjeve dhe 21% të kullotave në territorin e BE-së. Kjo i kushton unionit 2.5 miliardë euro në vit, për shkak të dëmeve në ndërtesa, infrastrukturë dhe ndikimit negativ në turizëm.

Por çfarë i shkakton këto zjarre?

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, aktivitetet njerëzore janë përgjegjëse për rreth 95% të zjarreve – përfshirë pakujdesinë, neglizhencën dhe zjarrvënien e qëllimshme. Zjarret zakonisht fillojnë në zonat ku qytetet dhe rrugët kufizohen me pyjet apo hapësirat gjysmë-natyrore.

Sidoqoftë, jo çdo zjarr që nis përhapet në masë. Statistikat tregojnë se vetëm 1.2% e zjarreve janë përgjegjëse për 65% të sipërfaqes totale të djegur. Ato bëhen të pakontrollueshme në kushte specifike – si moti ekstrem, thatësira, topografia dhe lloji i bimësisë.

Ndryshimet klimatike, përmes rritjes së temperaturave dhe shpeshtimit të valëve të të nxehtit, po e rrisin ndjeshëm rrezikun për zjarre më të mëdha, më të shpejta dhe më jetëgjata.

Në anën tjetër, një studim i vitit 2025 ka zbuluar se zjarrfikësit në Portugali, që ishin përfshirë në sezonin shkatërrues të vitit 2017, kishin kuptim të kufizuar për sjelljen ekstreme të zjarreve, duke lënë mënjanë masat parandaluese dhe përqendruar fokusin te reagimi.

Ekspertët paralajmërojnë se pa veprime konkrete për parandalim, ndërgjegjësim publik dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, situata pritet të përkeqësohet edhe më tej në vitet në vijim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një gazetar i lartë i 'Al Jazeera'-s është vrarë në…