Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun nis takimet në Kosovë

06 shtator 2024 | 10:10

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka mbërritur në objektin e Qeverisë paraditen e së premtes.

Siç raportohet ai tashmë ka nisur takimin me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për përgatitjen e takimit me në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nëse Lajçak do të ketë takim me kryeministrin Kurti. As në agjendën e dërguar sot nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, nuk figuron ndonjë informacion se kryeministri i Kosovës ka takim me Emisarin e Bashkimit Evropian.

Njoftim nuk ka pasur as nga zyra e Presidentes.

Vizita është pjesë e përpjekjeve për organizimin e një takimi mes kryenegociatorëve mes shqetësimeve perëndimore për shtimin e tensioneve në veri.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se po angazhohen me partnerët në Kosovë dhe se shpresojnë që çështjet të zgjidhen përmes dialogut.

“Ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka deklaruar Stano.

Lajçak të dielën e 1 shtatorit pas pjesëmarrjes në Forumin e Sigurisë GLOBSEC në Pragë, e pas takimeve që zhvilloi atje pati paralajmëruar se me të përfunduar Forumi i Bledit në Slloveni do të vizitojë Prishtinën.

Ai ka thënë se vizita në Prishtinë do të jetë si përgatitje për takimin e ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel.

Në Forumin e Sigurisë në Pragë, emisari sllovak ka theksuar se nuk pret zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Pas zgjedhjeve, emisari evropian ka deklaruar se duhet të ketë ndryshim të rëndësishëm në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit.

Javët e fundit BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të mos marrin vendime të njëanshme dhe të pakoordinuara të cilat rrisin tensionet edhe më shumë në veri.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Nga Kimete Berisha 1.Gjykata Speciale e fotoshop-it? Më kujtohet mirë…