FJALIMI I ALI AHMETIT NË PRESPË
Të nderuar vëllezër e motra presparë,
i nderuar kryetar i Degës,
Dega e BDI-së Prespë e Resnjë,
këshilltarë komunal,
funksionarë të lartë të BDI-së.
Një shtet dhe një parti politike me përgjegjësi që merr mbi shpatulla, sigurisht që vendos në platformën e vet se si shtetin ta çojë përpara, të mos mbetet në vendnumëro, sepse duke mbetur në vendnumëro nuk mund të ketë një shoqëri të begatuar si në fushën e ekonomisë, ashtu edhe në atë të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës.
BDI ka ndryshuar tanimë edhe qasjen, mbledhjet dega nuk do i mbajë vetëm me anëtarët e zgjedhur, por do t’i mbajë me të gjithë përkrahësit, votuesit sepse ne nuk kemi ndonjë strategji sekrete për të minuar as shtetin e as rajonin.
Ne jemi një organizatë misionarësh që kemi patur një përcaktim dhe mision të ndryshojmë statusin politik dhe juridik të shqiptarëve të Maqedonisë së atëhershme, jugosllave si quheshte, dhe tani e Veriut.
Statusi jonë është shtet-formues.
Pavarësisht tendencave që bëhet, pavarësisht angazhimeve të mëdha, për shtatë vite e gjysmë VMRO ka bërë një politikë anti-shqiptare, duke ju sofistiku me politika gjoja kundër BDI-së, ndërsa realisht kanë qenë tërësisht politika anti-shqiptare, dhe anti njerëzve të cilët bënë ndryshimin e statusit të shqiptarëve në këtë vend, duke mos patur gatishmëri për fat të keq bashkëqytetarët tanë dhe përfaqësuesit e tyre, që të pajtohen me një realitet se ky realitet ka ndryshu me luftë të armatosur që ata fare nuk i përfillnin kërkesat e atëhershme të viteve 90-ta të shqiptarëve.
Po si një trim që ishte, një dragua Stojan Andovi që ishte tha, në doni ta ndryshoni statusin tuaj duhet ta bëni me luftë.
Dhe pastaj kur nisi, tha pse krishi pushka.
Normal, kur ta kërkosh, edhe e gjen belanë.
Me të drejtat tona ne nuk bëjmë kompromis.
Janë fitu me gjak dhe nuk janë pengesë për asnjë komunitet në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Është bërë Marrëveshja e Ohrit.
Marrëveshja e Ohrit nuk është bërë për t’u zverdh nëpër arkiva.
Por është Marrëveshje për t’u zbatu e jetësu në shtet ku shqiptarët duhet t’i realizojnë në frymë e në germë të gjitha të drejtat, nga përfaqësimi në institucione deri tek gjuha shqipe në të gjitha institucionet e shtetit.
Nuk është gjuhë e një minoriteti, është gjuhë që e flet çdo i dyti qytetar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Prandaj, çdo gërvishtje mbi ligjin dhe statusin e gjuhës shqipe në këtë vend, ka pasoja shumë të mëdha.
Prandaj, nga çdo takim që kemi bërë, dhe nuk janë të pakta ato takime, ende shumë ka, jo vetëm në vend, por edhe jashtë vendin, si në Zvicër, Kroaci e gjetiu.
Mos prekin të paprekshmen, gjuhën shqipe, mos prekin ashtu si ndodhi 1989, pa i përfillur fare shqiptarët ndryshuan Kushtetutën e atëhershme të RMV-së, dhe shqiptarët nga popull konstituiv që ishin në Republikë i hoqën fare, dhe Republika e Maqedonisë u bë Republikë vetëm e komunitetit maqedonas.
Të gjithë do të dëshironin, edhe maqedonasit, edhe përfaqësuesit e tyre, që hapësira e tëra të ishte Maqedoni, nuk është ashtu.
Realiteti është ndryshe.
Përfaqësuesit shqiptarë do donin që tërë Maqedonia të jetë e shqiptarëve dhe të flitej në tërë shtetin shqip, nuk është ashtu.
Por të dy palet, si dy komunitetet më të mëdha që jemi ta pranojmë këtë realitet, ta pranojmë Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshje ndërkombetare e garantuar dhe e nënshkruar.
Mbi të gjitha, e pranuar edhe nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Marrëveshje e larë dhe e paguar me gjak.
Prandaj nuk bëhet majtap duke rrezikuar dhe cenuar Marrëveshjen paqësore të Ohrit.
Të mos i kthejmë situatat pas.
Sepse e kaluara nuk është e mirë, në radhë të parë nuk është e mirë për ne shqiptarët, po nuk bëhet mirë as për komunitetin maqedonas.
Ndjej keqardhje kur dëgjoj mediat maqedonase se ky vend është vetëm i tyre, se ky vend është i vjetër po sa Bibla dhe gjuha e tyrë është gjuhë biblike.
Me këto fantazma e iluzione nuk ecet përpara, dhe se shqiptarët nuk kanë vend këtu por duhet të shkojnë në Shqipëri.
Dhe nëse duan, pse nuk kërkojnë një Kanton në Zvicër shqiptarët që ta flasin shqipe, se Zvicra na qenka një model shumë i mirë dhe mund që edhe shqiptarëve t’u bëjë vend aty.
Këto gjëra kanë dal nëpër mediumet maqedonase, për fat të keq.
Nuk i bëjnë mirë popullit të vet, se shqiptarëve tërt syri s’ju bën.
Nuk shkojnë as në Shqipëri, as në Zvicër.
As në Francë, sepse nuk janë algjerian.
Qerpiku nuk na dridhet.
Luftrat kanë mbaru, përplasjet kanë mbaru.
Sot është koha kur duhet të dominojë paqeja, stabiliteti, siguria, integrimi i vendit në BE.
Të respektojmë Marrëveshjen e Ohrit, të respektojmë Marrëveshjen e Prespës, të respektojmë Marrëveshjen për fqinjësi të mirë.
Çka na gjenë neve nëse futen 3-5000 bullgarë në Kushtetutë.
Pse frikësohen?
Nuk bëhen krejt bullgarë.
Ai që është bullgar është bullgar, ai që është maqedonas është maqedonas.
Se na paska rrezik të madh se do asimilohet shteti.
Gjëra të pavërëteta, vetëm e vetëm për t’u arsyetuar për ngecje dhe mos-ecje përpara të proceseve të rëndësishme, siç është anëtarësimi i vendit në BE, asgjë e keqe dhe asnjë lëndim nuk na ndodhi, u ndryshua emri, sot jemi anëtarë në NATO.
Jemi në një umbrellë të sigurisë së lartë.
Përse frikësohen, ka katër vite që kemi bërë kërkesë në parlament dhe ligj për Veting të mirëfilltë me ndërmjetësim ndërkombëtar, me ekspertë nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Dalin për ditë me akuza.
Po ta shndërrojmë në arenë dyluftimi tash me akuza të ndersjellta, më shumë argumente që ka BDI për harbutërinë dhe hajdutërinë që kanë bë këta për 30 e ca vjet pas pavarësisë së shtetit, kërkush nuk ka argumente më të mëdha.
Pse nuk janë burra dhe politikanë të devotshëm, hajdeni të hapim hetim, si ndodhi privatizimi.
Për ditë e kërkojmë, të hapet hetim.
E zhvatën tërë pasurinë e popullit këtu.
Nuk u nginë, nuk u plasi kërthiza.
Hajdeni të hapim hetim.
A më akuzon mua për të korruptuar, hapim hetim për partitë politike dhe prejardhjen e pasurisë së të gjithë funksionarëve.
Nuk e bëjnë dot, vetëm dalin në konferenca shtypi se e keqja e këtij vendi paska qenë BDI.
Hajde urdhëroni.
Po hapim hetim mbi prejardhjen e pasurisë.
Por janë mësuar, se e kanë traditë nga gjyshërit dhe stërgjyshërit të jenë vazalë dhe argatë të Beogradit, e nuk kanë ditur të ndërtojnë autonomi e pavarësi, mëvetësi të plotë.
Gjithmonë në krah të huaj kanë jetuar, kanë zhvat pasurinë.
Shqiptarët janë rrit me kore të bukës, me djersën e vet, jo me keksa si ata.
Ata janë rritë me keksa, unë në kullë të gurit që tre herë është djegur nga pushtuesit.
T’i hapim këto gjëra, pse po hezitojnë?
Pse frikësohen.
Nuk jemi ne miliarda këtu.
1 milion e gjysmë banorë në vend jemi, të gjithë kokë për kokë mund të njihemi, dhe njihemi.
Dhe dihemi mirë.
Katër ka, zverdhet dokumenti për të bërë Veting.
Kam kërkuar në Prokurorinë Speciale, në të Përgjithshmen, të hapet hetim për partitë politike, zyrtarisht e kam dërguar nga BDI.
Pse, a kujton aq lehtë është që të bëhet Vetingu.
Jo nuk është aq lehtë, se edhe unë kam pasur vështirësi brenda BDI-së, që se kanë dashur, por ama pikërisht është Vetiungu dhe hapja e hetimeve për prejardhjen e pasurisë, që disa nuk janë sot në BDI, se e kanë parë që e kam përnjëmend këtë punë.
Gjithçka mund të harrohet, hajduti jo.
Prandaj duhet të hapet hetim për çdo funksionar dhe parti politike.
Nuk kanë gatishmëri, as VMR0 as LSDM.
Ka një dekadë që i lusim.
Tash shpata ka dal prej mejdani.
Për çdo ditë kërkojmë Veting e hetim për çdo funksionar.
Se unë ndryshe nuk di çka të bëj.
Nuk kanë bë zgjedhje të mirë që shkelën mbi legjitimitetin e shqiptarëve, si komuniteti i dytë më i madh.
Ky është gabim trashanik i VMRO-së.
Dhe nëqoftëse shkojnë me këtë mentalitet, për të delegjitimu, për të shpërbë BDI-në, le ta dinë mirë, le ta dinë mirë se do përballen me shqiptarët si komb, jo me BDI-në.
Shqiptarët jo aq lehtë interesat e veta i shesin.
Shqiptarët vlerësojnë sakrificën e vetë, vlerësojnë mundin e vet që kanë dhënë për të arrit deri në këto ditë.
Prespa nuk janë bukëshkelë, Prespa janë mirënjohës. Mund të ketë individë që harrojnë të mirat e BDI-së.
Ato nuk janë të mira të BDI-së, por të këtij populli që për 24 vjet e ka mbështet BDI-në, ka mbështetë UÇK-në me të gjitha çka ka pasur.
Dhe Prespa është mirënjohëse, dhe kurrë nuk e harron.
Individë që harrojnë të mirat, çerek shekulli, harrojnë vullnetin e madh të çdo shqiptari që ka dhënë që BDI të jetë fitues.
E kemi pas mbështetjen e popullit që kemi qenë të fortë.
Pse s’janë këta të fortë, këta trima që kanë hy.
Që Fatoni me të drejtë ju thotë, “VREDI”.
Pse?
Na ka kanë degradu, i kanë poshtëru shqiptarët.
Prandaj unë vëllezërisht i kam thirr, tanë janë, mos t’i lëmë të bëjnë gabime edhe më të mëdha.
Edhe me kalimin e kohës po bëjnë gabime edhe më të mëdha.
Janë pastru Spitalet prej drejtorëve, përfaqësuesve shqiptarë.
Drejtori të ndryshme njëjtë.
Në çfarë niveli ka qenë BDI-ja, dhe ku janë sot shqiptarët.
I kanë devalvu komplet.
I shohin vetëm si një vegël për votim se realizim të programeve dhe misioneve të VMRO-së.
Po bëjnë përpjekje që t’i bashkojnë kundër BDI-së. Realisht këto njerëz nuk e kuptojnë që nuk punojnë kundër BDI-së, por kundër shqiptarëve.
BDI nuk i ka punu mas shpine shqiptarëve në RMV.
Assesi.
Nuk ka punu kështu si punohet sot.
Prandaj sa më parë që tërhiqen e nderojnë veten, familjet e tyre, votuesit e tyre, edhe pse shumë votues të tyre vijnë në BDI dhe e shohin se si kanë gabu me një qasje të tillë që e kanë pas.
Vëllezër e motra,
Ky ishte një përshkrim se si duhet ecur dhe ç’duhet bërë, e çka s’duhet bërë.
Për t’u anëtarësuar në BE, duhet ta zgjedhim problemin me palën bullgare, dhe bullgarët t’i fusim në kategorinë kushtetuese.
Duhet bërë Veting i mirëfillt me specialistë ndërkombëtar dhe të hapet hetim mbi të gjitha partitë politike, për prejardhjen e pasurisë për të gjithë funksionarët, dhe të hapet hetim mbi privatizimin.
Të forcohen dhe të kontribuojnë të gjithë për marrëdhënie të mira ndëretnike, larg duart nga zjarri, Marrëveshja paqësore e Ohrit.
Gjithashtu të respektohet Marrëveshja e Prespës.
Dhe në tetor, bashkë me zgjedhjet lokale të shkohet në zgjedhje të përgjithshme parlamentare, dhe këtu të gjithë t’i përveshin supet, krahët, vendin ta shpiem përpara drejt BE-së, me siguri, paqe e stabilitet.
Përndryshe, po u prekën marrëdhëniet ndëretinike, Marrëveshja e Ohrit, punët nuk do shkojnë mirë.
Nëse e bëjnë këtë, ne ulemi dhe ndërtojmë strategji se si më tutje!
Falemnderit shumë!
Ali Ahmeti,
Prespë, 16.02.2025!



