Specialja ua refuzon kërkesat për lirim të përkohshëm Veselit, Krasniqit dhe Selimit

21 maj 2025 | 13:41

Trupi gjykues në rastin “Thaçi dhe të tjerët” ua ka refuzuar kërkesat për lirim të përkohshëm Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kërkesat ishin dorëzuar më 3 dhe 4 prill 2025, pas dëgjimit të gjithë dëshmitarëve të prokurorisë.

Veseli, Selimi dhe Krasniqi kishin kërkuar garanci edhe nga Policia e Kosovës, drejtori i së cilës ka dorëzuar në Dhomat e Specializuara gjithë dokumentet e nevojshme për të dëshmuar aftësinë dhe trajnimet e policisë që t’i ruajnë treshen e UÇK-së gjatë lirimit të përkohshëm, mirëpo Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), e k cilësuar të paaftë Policinë e Kosovës ta zbatojë këtë masë.

Vendimi i gjyqtarëve Charles Smith, Christoph Bardhe, Guenawl Mettraux dhe Fergal Gaynor nuk është bërë ende publik, por “Klan Kosova” e ka parë kërkesën e fundit të kryeprokurores Kimberly West për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin.

“Paraburgimi mbetet proporcional. Në rishikimin e fundit të paraburgimit, Paneli gjeti se mbajtja e Veselit edhe për dy muaj të tjerë ishte e nevojshme dhe e arsyeshme në bazë të rrethanave specifike të rastit. Më 13 maj 2025, pas vlerësimit të kërkesës së fundit të Veselit për lirim të përkohshëm, Paneli konfirmoi se paraburgimi i tij mbetet i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, është thënë në kërkesën e West.

West e ka cituar vendimin jo-publik edhe kur e arsyeton mbajtjen e Veselit në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen, ku bashkë me Thaçin, Krasniqin e Selimin po qëndrojnë prej 4 vjet  e 6 muaj tashmë.

“Paneli ka ardhur në përfundim se vetëm përmes monitorimit të komunikimeve që aplikohet në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, komunikimet e Veselit mund të kufizohen në atë mënyrë që do ta ulin mjaftueshëm rrezikun e pengimit dhe kryerjen e krimeve tjera”, është thënë në kërkesë.

Gjykata Speciale nuk i pati besuar Policisë së Kosovës as në vitin 2021, kur Kadri Veseli kishte bërë kërkesë të njëjtë për lirim të përkohshëm.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Sonte do të zhvillohet finalja e Ligës së Evropës nga…