Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, fton qytetarët në ceremoninë përkujtimore për dëshmorët në Bjeshkët e Junikut
Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, dhe në bashkëpunim me Grupin “Shqiponjat e Arta”, më 17 korrik do të organizohet ceremonia përkujtimore kushtuar përvjetorit të rënies së dëshmorëve në brezin kufitar shqiptaro-shqiptar, në zonën e Bjeshkëve të Junikut.
Gjatë ceremonisë do të bëhet edhe zbulimi i pllakës memoriale në nderim të dëshmorëve, e financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMKMK). Aktiviteti do të mbahet te Rrasa e Zogut, në Bjeshkët e Junikut, në vendin e njohur historikisht si “Kufiri Shqiptaro-Shqiptar”, duke filluar nga ora 11:00.
Organizatorët kanë ftuar institucionet qendrore dhe lokale, përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizatat e dala nga lufta, familjet e dëshmorëve, si dhe të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë ceremoni përkujtimore. Sipas organizatorëve, pjesëmarrja në këtë aktivitet është një shenjë nderimi dhe respekti për dëshmorët që sakrifikuan jetën për lirinë e atdheut.



