Avdullah Hoti: Kurti s’ka nevojë për LDK-në në krijimin e Qeverisë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se nisma për Kuvendin e jashtëzakonshëm ku do të vendoset fati i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, s’ka kurrfarë lidhje me negociatat për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.
Hoti ka thënë se pakënaqësitë në LDK s’kanë lindur brenda natës dhe se nisma për Kuvend të jashtëzakonshëm vjen si rezultat i humbjeve të njëpasnjëshme dhe për shkak të mosrespektimit të standartit të vendosur në vitin 2021, ku lidershipi i partisë ndërrohet për shkak të rezultateve të dobëta.
Hoti thotë se rezultati i zgjedhjeve të fundit tregon që Lëvizja Vetëvendosje s’ka nevojë për Lidhjen Demokratike për të krijuar Qeverinë, derisa potencon se LDK do të jetë bashkëpunuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe në procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Nëse të gjitha dallimet programore mes forcave politike zhduken vetëm e vetëm për të ndarë pushtetin, atëherë nuk mbrohet interesi shtetëror”, ka thënë Hoti për Gazetën Express.
Ai tutje ka numëruar një varg ngjarjesh politike të ndodhura përgjatë qeverisjes së Albin Kurtit, ngjarje që sipas Hotit, tregojnë që Lëvizja Vetëvendosje s’meriton të drejtojë qeverinë e Kosovës.
Sa i përket Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, Hoti thotë se rezultati i zgjedhjeve të fundit ka dhënë një mesazh që s’mund të anashkalohet dhe se LDK duhet ta pyes seriozisht veten për rrugën që do të ndjek për t’u kthyer si forcë politike kryesore në vend.
“Bindje ime është se për të arritur këtë, LDK-ja duhet të kalojë nëpër një proces statutar, gjithëpërfshirës dhe konkurrent të zgjedhjes së strukturave udhëheqëse, nga niveli i nëndegëve e deri te Kryetari i LDK-së. Ky proces duhet të jetë demokratik, i bazuar në një debat të hapur, ku secili anëtar i LDK-së përfshihet në vendimmarrje”, ka thënë Hoti për Express.



