Të paktën 11 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza
Të paktën 11 persona janë vrarë në disa sulme izraelite në Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga tetori i vitit 2025.
Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile në Gaza, pesë anëtarë të së njëjtës familje, një çift dhe tre fëmijët e tyre, humbën jetën pasi një apartament në veriperëndim të Qytetit të Gazës u godit nga bombardimet.
I vetmi anëtar i familjes që mbijetoi është një fëmijë, i cili nuk ndodhej në banesë në momentin e sulmit. Spitali Shifa konfirmoi pranimin e trupave të pesë viktimave.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se objektiv i sulmit ishte një pjesëtar i Hamasit, ndërsa shtoi se rezultatet e operacionit janë ende duke u vlerësuar.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëme të mëdha në ndërtesë, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe banorët vazhduan kërkimet për persona të mbetur nën rrënoja.
Në një sulm tjetër në lagjen Zaitoun, tre persona u vranë pasi u godit një grup civilësh. Më vonë, Mbrojtja Civile njoftoi se një grua humbi jetën pasi zjarri i artilerisë goditi një tendë ku strehoheshin persona të zhvendosur.
Nga ky sulm mbetën të plagosur disa persona, ndërsa tre të tjerë rezultojnë të zhdukur. Zyrtarët shëndetësorë raportuan edhe dy viktima të tjera në sulme të veçanta në enklavën palestineze.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar për të gjitha sulmet e raportuara, ndërsa Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë ta akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor 2025, janë vrarë të paktën 1 mijë e 144 palestinezë. Autoritetet izraelite kanë raportuar gjashtë viktima gjatë së njëjtës periudhë, pesë ushtarë dhe një kontraktor të Ministrisë së Mbrojtjes.



