Donald Trump e do Infantinon për sekretar të përgjithshëm të OKB-së

22 korrik 2026 | 11:46

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dëshiron që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të jetë sekretar i ardhshëm i përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Lajmi është bërë me dije nga “New York Post”, ndërsa është raportuar edhe nga media të tjera amerikane.

Sipas raportimeve, Trumpi është shprehur në biseda private se Infantino është personi i duhur për ta drejtuar OKB-në, duke e cilësuar atë si një figurë me reputacion ndërkombëtar dhe me aftësi për të bashkuar njerëz nga e gjithë bota.

Marrëdhënia mes tyre është forcuar ndjeshëm gjatë organizimit të Kupës së Botës 2026 në ShBA, Kanada dhe Meksikë.

Një rol të rëndësishëm në promovimin e kësaj ideje ka pasur edhe Paolo Zampolli, mik i afërt i Trumpit dhe ambasador i SHBA-së në OKB për çështje të partneriteteve globale.

Ai ka deklaruar se Infantino ka treguar në FIFA se është në gjendje ta drejtojë një organizatë globale me 211 federata anëtare dhe se mund ta sillte një frymë të re edhe në Kombet e Bashkuara.

Megjithatë, emërimi i Infantinos nuk do të ishte aspak i thjeshtë.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së zgjidhet pas rekomandimit të Këshillit të Sigurimit dhe miratimit nga Asambleja e Përgjithshme, ndërsa mandati i Antonio Guterres përfundon në fund të këtij viti.

Deri më tani nuk ka asnjë sinjal publik se vetë Infantino është i interesuar të kandidojë për këtë post.

Nëse do ta pranonte një detyrë të tillë, presidenti i FIFA-s do të duhej të hiqte dorë edhe nga një pagë shumë më e lartë.

Sipas mediave amerikane, Infantino përfiton rreth 6 milionë dollarë në vit në FIFA, ndërsa paga e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së është rreth 418 mijë dollarë në vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Financave ka nënshkruar marrëveshje granti në vlerë prej…