Një libër mbi interpretimin filozofik të figurës së Adem Demaçit
Arben Veselaj
Nga ideja drejt njeriut: një libër mbi interpretimin filozofik të figurës së Adem Demaçit
(Besim Baraliu, Triada Demaçiane, “Artini”, Prishtinë, 2026)
Pas librit Kohë pa etos, ende pa u mbyllur një vit i plotë, profesor Besim Baraliu na sjell edhe një libër të dytë. Ashtu si në të parin – edhe në këtë të dytin – subjekti është po ai: Adem Demaçi. Ndërsa libri i parë, Kohë pa etos, është një përmbledhje analizash mbi zhvillimet politike të kohës sonë, të shqyrtuara dhe të interpretuara në dritën e mendimit politik, sociologjik e filozofik të Adem Demaçit, ky i dyti është shumë më shumë se kaq.
Çfarë është, në fakt, libri më i ri i Baraliut?
E ka titulluar Triada Demaçiane dhe e ka plotësuar me dy nëntituj shpjegues: Jeta si fiksim, qëndrim dhe guxim dhe Adem Demaçi – etika e integritetit në kohë sprove?
A është ky libër një biografi?
Jo.
Ndonëse mbështetet mbi jetën e Adem Demaçit dhe ndjek me përpikëri shumë nga episodet më të rëndësishme të jetës dhe të veprimtarisë së tij, libri nuk është i shkruar sipas gjedhes biografike.
Një monografi historike?
As kjo.
Edhe pse libri përfshin një korpus të gjerë burimesh dokumentare -historiografike, historia nuk është qëllimi përfundimtar i tij.
Një ese filozofike?
Edhe kjo do të ishte një përgjigje e mangët; libri ka elemente të një analize filozofike, shkruar me një gjuhë eseistike, por nuk bën pjesë në grupin e eseve politike.
Një studim politologjik?
As në këtë përkufizim nuk futet krejtësisht. Analiza politike është njëra nga metodat e shkrimit, por nuk është destinacioni përfundimtar i idesë së librit.
Atëherë, çfarë kemi përpara?
Ky libër, me një këmbëngulësi të çuditshme, mu sikur vetë subjekti i tij, nuk pranon të futet në kallëpe. Përpara kësaj vepre zhanret tradicionale duken të pamjaftueshme.
Triada Demaçiane është një studim ndërdisiplinor filozofiko-historik dhe politologjik mbi etikën e integritetit njerëzor, i ndërtuar si një model i veçantë hermeneutik.
Por, edhe ky përkufizim, sado i përafërt të duket, nuk e shpjegon plotësisht natyrën e librit … kështu, sepse autori nuk shkruan për Adem Demaçin vetëm që ta njohim më mirë; shkruan për të, që, përmes tij, ta njohim më mirë vetveten.
Këtu qëndron dallimi ndërmjet një libri që rrëfen një jetë dhe një libri që vë në sprovë ndërgjegjen e lexuesve, sepse të rrëfesh një jetë (veç tjerash), është edhe një mënyrë për ta vendosur heroin në qetësinë e lavdishme të historisë, por ta trajtosh atë si sprovë, është sikur të rrezikosh të hapësh gjyq ndaj vetë lexuesve.
Në shumicën e librave kushtuar figurave me ndikim historik, autorët rëndom ndjekin jetën e personazhit, por, në rastin tonë, autori Baraliu ka ndjekur rrugën e kundërt. Ai niset nga një ide – nga një kategori morale: nga integriteti … pastaj kërkon në jetën e Adem Demaçit provat që e bëjnë këtë ide të rrokshme, praktike.
Këtu, mbase, kemi një lloj përmbysjeje – një lëvizje të pazakonshme: jo nga njeriu drejt idesë, por nga ideja drejt njeriut.
Kjo përmbysje na jep leksionin e parë, se për Demaçin integriteti nuk ishte një zgjedhje situatash rrethanore, por kushti i parë dhe i mbramë ekzistencial.
Në këtë libër të profesor Baraliut figura e Adem Demaçit nuk ngrihet në piedestalin ku historia rëndom i vendos heronjtë. Përkundrazi, autori e zbret Demaçin në terrenin e rrokshëm, aty ku ballafaqohen idealet e mëdha me jetën praktike. Duke e zbritur në tokë, autori nuk ia zvogëlon përmasën; përkundrazi – na tregon se madhështia e Demaçit nuk ishte një dhuratë e perëndive, por një zgjedhje, edhe pse e dhimbshme, e vullnetit të tij personal.
Mund të thuhet se figura e Adem Demaçit këtu përdoret si një rast studimor, apo siç quhet në terminologjinë shkencore case study, përmes të cilit autori ndërton interpretimin e tij mbi etikën e integritetit, prandaj nuk gabojmë kur themi se kjo qasje e zhvendos librin nga zhanri historik e politologjik drejt filozofisë politike.
Dhe pikërisht këtu qëndron origjinaliteti i kësaj vepre, sepse pikëpyetjet ekzistenciale që ngreh nuk janë të rëndomta. Njëra prej tyre, ndërkaq, do të ishte kjo: Kush ishte Adem Demaçi?
Kjo çështje, ndërkaq, kapërcen kontekstin shqiptar dhe bëhet universale.
Çfarë e bën Demaçin një njeri i cili kurrë nuk i tradhtoi idealet dhe parimet për të cilat qe përcaktuar që në rininë e hershme? Çfarë force e bëri kurrë të nënshtruar edhe atëherë kur përjetoi torturat më çnjerëzore dhe qëndroi aq gjatë në burg?
Këto, mbase janë disa çështje që profesor Baraliu në pothuajse çdo kapitull të këtij libri, synon t’u gjejë përgjigje.
Që këtu duhet të jemi të qartë: Besim Baraliu këto përgjigje nuk i kërkon në narrativat historike, shpesh të ngarkuara më shumë se ç’duhet me patriotizëm. Këto përgjigje ai i kërkon në etikë, në filozofi – në atë që Aristoteli e quan virtyt, ndërsa tradita moderne e Filozofisë Morale integritet. Prandaj, edhe titulli i librit nuk është zgjedhur rastësisht. Triada Demaçiane nuk duhet lexuar si figurë stilistike; Triada Demaçiane është baza interpretuese mbi të cilën ngrihet e gjithë ngrehina e veprës.
Ka diçka prej arkitekturës klasike në këtë strukturim, ku triadikja nuk shërben si zbukurim, por është substancë – si ato kolonat e rënda prej guri që mbajnë peshën e një tempulli.
Fiksimi. Qëndrimi. Guximi.
Tri fjalë të zakonshme. Por, në zbërthimin që u bën autori, ato shndërrohen në tri momentume të ndërtimit të një karakteri të jashtëzakonshëm njerëzor.
Fiksimi këtu nuk lexohet si kokëfortësi – vetëkuptohet si besnikëri absolute ndaj një ideali. Qëndrimi këtu nuk lexohet si rezistencë në kuptimin e parë të fjalës – është barazimi ndërmjet asaj që njeriu e mendon, e thotë dhe e bën. Guximi nuk është mungesë e frikës – nënkuptohet si përbetim për të mos hequr dorë nga e vërteta edhe atëherë kur çmimi i saj është tortura, burgu i gjatë dhe vdekja.
Kjo, pra, është “triada”, përmes së cilës autori Baraliu e ndërton jo vetëm portretin filozofik të Adem Demaçit, por edhe interpretimin e tij mbi mënyrën se si lind dhe si ruhet integriteti njerëzor.
Nëse triada fiksim – qëndrim – guxim përbën bazën teorike të veprës, atëherë dilema të tjera ngrihet sakaq: Pse pikërisht këto tri kategori? Pse jo ndonjë tjetër? A janë këto tri cilësi të karakterit të Adem Demaçit, apo përfaqësojnë diçka më të thellë?
Besim Baraliu në këtë libër nuk i trajton këto nocione si virtyte individuale; ai nuk shkruan për një njeri që rastësisht kishte vendosmëri, qëndrueshmëri dhe trimëri. Jo. Përpiqet të argumentojë se integriteti moral nuk lind vetvetiu, nuk është një dhunti natyrore që bleron si bari në livadh pas çdo shiu, por një ndërtim kompleks njerëzor që nga shtrati i djepit e deri te stomi i vorrit – një ndërtim që kërkon disiplinë të hekurt të brendshme. Integriteti ndërtohet mbi një superstrukturë të brendshme të karakterit njerëzor, ku secila prej këtyre tri kategorive është e domosdoshme për ekzistencën e tjetrës.
E parë kështu, triada nuk është vetëm titull libri – është vetë baza interpretuese që libri përpiqet të ngrejë. Ndaj edhe Adem Demaçi këtu nuk shfaqet si një figurë heroike në kuptimin tradicional të historisë. Ai nuk paraqitet si mit. Madje, do të thosha se autori bën një përpjekje të vetëdijshme për ta larguar lexuesin nga yshtja e mitit. Autori kërkon nga lexuesi të kuptojë, të analizojë, të depërtojë përtej portretit publik, për t’i zbuluar mekanizmat moralë që e kanë bërë të mundur “Fenomenin Demaçi”.
Vetëm përmes kësaj zhveshjeje, mbase të dhimbshme, por reale, nga dekoracionet festive të mitit, ne mund të kuptojmë se madhështia e Demaçit qëndronte pikërisht tek diçka – do të thosha shumë e frikshme për persekutuesit e tij (më vonë edhe për kundërshtarët e të gjitha sërëve): refuzimi i tij për të bërë kompromis me të vërtetën.
Nuk është krejt rastësi që edhe sivëllai i tij i revoltës intelektuale – shkrimtari disident çek, Václav Havel, duke e përshkruar në një intervistë aktin e tij revoltues, ka thënë: “Shpresa nuk ishte bindja ime se ajo që kisha nisur do të përfundonte mirë, por siguria se ajo që kisha nisur kishte kuptim, pavarësisht se si do të përfundonte”. Kjo e thënë e Havelit mbase mund të lexohet edhe si një lloj çelësi për ta kuptuar edhe jetën e Adem Demaçit. Një mendim pak a shumë i ngjashëm del edhe nga vetë goja e personazhit të tij autoideografik, Vetë Mohimi (Libër për Vet Mohimin, 1994), i cili shprehet afërsisht kështu: “Burgu nuk është një aksident i fatit, por një lloj fatkeqësie e zgjedhur”.
Ndërsa librat e shumë autorëve të tjerë rrëfejnë çfarë ka bërë Adem Demaçi, Besim Baraliu në librin e tij kërkon të zbulojë pse ai ka vepruar pikërisht ashtu. Ky është dallimi … dhe nuk është një dallim i vogël – është dallimi ndërmjet rrëfimit dhe interpretimit, ndërmjet historisë si fakt dhe filozofisë si ide!
Çështja, apo çështjet që autori ngreh në këtë libër nuk janë nga ato që rëndom i dëgjojmë dhe i lexojmë në jetën publike – siç është klisheja: Çfarë bëri Adem Demaçi? Çështja, apo çështjet që autori ngreh janë disi të pakëndshme kur i lexojmë apo kur i dëgjojmë: Çfarë do të bënim ne në vendin e tij? Sa prej nesh do ta ruanim të pandryshuar bindjen përballë burgut të gjatë? Sa prej nesh do ta mbronim një ideal edhe kur ai nuk premton as pushtet, as privilegje, as lavdi? Sa prej nesh do të vazhdonim ta mbronim e ta thoshim të njëjtën të vërtetë edhe pasi e gjithë bota do të na binte në qafë?
Këto çështje janë nënteksti i këtij libri.
Në shumë faqe të librit Triada Demaçiane evidentohet një dialog i vazhdueshëm që autori Baraliu e ka bërë me baballarët e filozofisë klasike mbi etikën e virtytit. Dhe kjo, natyrisht, është një zgjedhje me shumë rëndësi, sepse përmes filozofisë universale ai synon ta çmitizojë historinë tonë, sepse historia jonë, për fat të keq, shpesh është shkruar e sheqerosur me heroizma patetikë. Këtu historia hyn në laboratorin e filozofisë, dhe, kështu, libri arrin një lloj ekuilibri: nga njëra anë nuk e humb kontaktin me faktin historik, dhe, nga ana tjetër, nuk mbetet rob i fakteve. Çdo episod historik përdoret si premisë për zbërthimin e ideve.
Kjo është arsyeja pse gjatë leximit të këtij libri nuk krijohet përshtypja se autori dëshiron ta bindë lexuesin për madhështinë e Adem Demaçit. Demaçi këtu paraqitet si dëshmi bindëse se njeriu është në gjendje të mbetet besnik ndaj vetvetes edhe atëherë kur rrethanat e shtyjnë drejt mohimit të vetvetes. (Çështjen e mohimit të vetvetes, ndërkaq, në mënyrë gjeniale e ka trajtuar vetë Adem Demaçi, te vepra e tij, e cituar më sipër, Libër për Vet Mohimin).
Këtu dua të bëj një kritikë për historiografinë shqiptare të kohës sonë: jo pak studime që marrin përsipër të trajtojnë figura me ndikim historik (me përjashtime të vogla), bien në një kurth të pashmangshëm: grumbullojnë shumë të dhëna, referenca, citime dhe dokumente, sa në fund zhvendosen nga aksi i argumentimit; si rrjedhojë lexuesi mbetet i informuar, por jo domosdoshmërisht i bindur. Në Triadën Demaçiane të Besim Baraliut ndodh e kundërta. Ai nuk lejon që materiali dokumentar ta udhëheqë mendimin. Kjo i jep veprës një disiplinë të brendshme që ndihet që në faqet e para dhe e shoqëron lexuesin deri në fund.
Ka edhe një tjetër aspekt shumë me vlerë ky libër i Besim Baraliut: arrin ta shmang figurën e Adem Demaçit nga një grackë që shpesh e ka ngatërruar historinë tonë kombëtare, duke e hedhur në hullitë e keqkuptimit: gracka e një lloj heroizmi irracional. Në hapësirën shqiptare shpesh vihet re një prirje e natyrshme për t’i kthyer figurat kombëtare në simbole të paprekshme. Por kjo është e dëmshme, sepse sapo një figurë shndërrohet në mit, pushon së qeni subjekt ideje e mendimi – bëhet objekt adhurimi. Pikërisht këtë e shmang autori. E, duke vepruar kështu, ai nuk ia zbeh aspak madhështinë Adem Demaçit. Përkundrazi, mendoj se e rrit atë … sepse Besim Baraliu nuk tregon përralla, nuk ndërton mite – kështjellën e Adem Demaçit e ngre me gurët e argumentit racional. Besim Baraliu nuk ngul këmbë ta bindë lexuesin se Demaçi ishte i madh – ai në fund e bind lexuesin pse ai ishte i madh.
E kanë thënë të mençurit shumë kohë më përpara, se çdo libër serioz është një lloj dialogu me kohën në të cilën shkruhet. Edhe Triada Demaçiane është, në esencë, një dialog i tillë. Po jetojmë në një kohë të ngarkuar me shumë të panjohura; sot pragmatizmi dhe konformizmi janë valorizuar si virtyte, kurse parimet etike dhe morale konsiderohen dobësi njerëzore. Në këtë dritë, ky libër, veç arsyeve që i rendita më sipër, duhet lexuar edhe si kundërvënie ndaj kësaj të keqeje të madhe.
Për fund, do të thosha edhe një gjë: librin Triada Demaçiane do të duhej lexuar edhe si një lloj “udhëtimi shpirtëror”. Besim Baraliu na thërret në shtegtimin e tij – me udhërrëfyes Mjeshtrin e tij: Adem Demaçin. Në këto kohë të vështira ai na fton që ta përqafojmë etikën e integritetit dhe kodin moral të Demaçit, për t’i mbrojtur vlerat themeltare të njeriut tonë dhe të shoqërisë sonë.




