Dyshimet për varrezë masive në Kalludër, Gërvalla: Të pritet përfundimi i procesit, të mos spekulohet
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar zonën në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet për një varrezë masive me mbetje mortore të personave të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Gërvalla ka bërë thirrje për përmbajtje dhe ka kërkuar që të pritet përfundimi i punës së ekipeve profesionale, pa spekulime për numrin apo identitetin e viktimave.
“Nuk është koha për spekulime, fjalë të mëdha dhe zhurmë të madhe. T’i lëmë profesionistët të bëjnë punën e tyre dhe më pas të shohim se kush ndodhet poshtë dhe a ka më shumë apo më pak”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo e ka cilësuar si të tmerrshme faktin që, edhe pas gati tri dekadash nga përfundimi i luftës, ende nuk dihet fati i një numri të madh të personave të zhdukur.
“Është e tmerrshme që edhe 27 vjet pas çlirimit të vendit tonë kemi 1 mijë e 500 trupa të pagjetur. Kemi më shumë se 1 mijë e 500 familje të cilat çdo ditë rrinë me kokën nga dera, duke pritur që dikush t’ua sjellë lajmin se, të paktën, janë gjetur familjarët e tyre”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka vlerësuar punën e institucioneve dhe ekipeve të përfshira në proces, duke shprehur besimin se së shpejti do të ketë rezultate më të sakta dhe konkrete për rastin në Kalludër.
Sipas saj, qëllimi është që familjet e personave të zhdukur të marrin përgjigje për fatin e të dashurve të tyre dhe, në rast të identifikimit, t’i kenë mundësitë për t’i varrosur me dinjitet.
Gërvalla ka thënë gjithashtu se presioni ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe dorëzimin e informacioneve për personat e pagjetur po rritet çdo ditë.



