Inspektorati i Punës për rastin në rrugën ‘A’: Po trajtohet me prioritet, herët të nxirren konstatime

29 korrik 2026 | 15:31

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë  me dije se rasti i rëndë i së martës, ku një person humbi jetën dhe një tjetër u lëndua pas rrëzimit të një vinçi në rrugën “A” në Prishtinë, po trajtohet me prioritet, në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente.

Në një reagim, Inspektorati ka theksuar se në këtë fazë është ende herët për të nxjerrë konstatime përfundimtare lidhur me shkaqet dhe përgjegjësitë për aksidentin.

“Ky rast po trajtohet me prioritet të lartë dhe Inspektorati Qendror i Punës është duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive”, thuhet në reagim.

Sipas Inspektoratit, për përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit dhe përgjegjësive lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë nevojiten hetime dhe ekspertiza të mëtejshme.

“Është ende herët të nxirren konstatime përfundimtare, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme”, thuhet më tej.

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se, nëse gjatë hetimeve konstatohet se ka pasur shkelje të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, do të ndërmerren masat përkatëse.

Sipas Inspektoratit, në kompetencën e tij hyn mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë në raport me punëmarrësit, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e tjerë që kanë qasje të autorizuar në kantier.

Ndërkaq, sa i përket sigurisë së palëve të treta dhe parandalimit të dëmeve që mund t’u shkaktohen atyre, Inspektorati ka sqaruar se përgjegjësia për mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit, sipas Ligjit për Ndërtim, i takon inspektorateve të ndërtimit të komunave përkatëse.

Këto inspektorate, sipas IQP-së, janë kompetente të ndërmarrin masa ndaj subjekteve ndërtimore që shkelin rregullat e sigurisë, përfshirë edhe rastet kur rrezikohen pronat apo personat jashtë kantierit.

Inspektorati Qendror i Punës ka sqaruar gjithashtu se nuk ka kompetencë ligjore për të vlerësuar nëse janë plotësuar kushtet për lëshimin e lejes ndërtimore, pasi kjo përgjegjësi u takon autoriteteve kompetente sipas legjislacionit në fuqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona duket se ka humbur durimin në negociatat për transferimin…