Kriza e jetesës dhe emigrimit, Gjini: Kosova ka nevojë për zgjidhje urgjente
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka deklaruar se rezultatet e raportit të fundit të NDI-së, dëshmojnë nevojën për zbatimin e ofertës me gjashtë pika të partisë së tij, të cilën e cilësoi si një emergjencë kombëtare për të ndalur zbrazjen e Kosovës.
“Shifrat tregojnë qartë se gjendja është përkeqësuar ndjeshëm. Përqindja e qytetarëve që mendojnë se Kosova po shkon në drejtim të gabuar ka shkuar nga 24% në 38%, derisa dëshira për t’u larguar përgjithmonë është rritur nga 16% në 28%. Ky dëshpërim vjen direkt nga problemet që rëndojnë jetën e përditshme të familjeve tona, ku 56.6% e qytetarëve alarmojnë për çmimet e larta të produkteve, 43.8% për faturat e energjisë, 40.2% për mungesën e vendeve të punës. Ndërsa 41.1% e identifikojnë korrupsionin si një nga kërcënimet më të mëdha për demokracinë në Kosovë”, ka shkruar Gjini në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Rezultatet e raportit të fundit të NDI janë dëshmia më e pastër se oferta me gjashtë pika e Aleancës, është emergjencë kombëtare për të shpëtuar Kosovën nga zbrazja.
Shifrat tregojnë qartë se gjendja është përkeqësuar ndjeshëm. Përqindja e qytetarëve që mendojnë se Kosova po shkon në drejtim të gabuar ka shkuar nga 24% në 38%, derisa dëshira për t’u larguar përgjithmonë është rritur nga 16% në 28%. Ky dëshpërim vjen direkt nga problemet që rëndojnë jetën e përditshme të familjeve tona, ku 56.6% e qytetarëve alarmojnë për çmimet e larta të produkteve, 43.8% për faturat e energjisë, 40.2% për mungesën e vendeve të punës. Ndërsa 41.1% e identifikojnë korrupsionin si një nga kërcënimet më të mëdha për demokracinë në Kosovë.
Pikërisht këto shifra, dhe ky realitet që ne e prekim çdo ditë duke takuar qytetarët në terren, janë arsyeja pse jemi të betonuar krahas qëndrimit për ofertën tonë strategjike, si rrugëdalja e vetme.
Përballë pasigurisë me rrymën, zgjidhja e qëndrueshme mbetet investimi te gazi amerikan dhe ndërtimi i termocentralit të ri për të garantuar pavarësinë tonë energjetike. Ndërsa për të ndalur shtrenjtimin e jetesës, alternativa jonë kthehet te lehtësimi tatimor: ulja e menjëhershme e TVSH-së për ushqime dhe produkte të higjienës për gratë dhe fëmijët, heqja e tatimit në pronë për tokën e punuar dhe rritja e pragut të TVSH-së në 100 mijë euro për bizneset tona.
Është koha për një kthesë të madhe të qendrës së djathtë që ndalon zhvatjen e shtetit, përfundon rrugët tona rajonale dhe u kthen njerëzve tanë dinjitetin dhe arsyen e fortë për të qëndruar e ndërtuar jetën këtu, në shtëpinë e tyre, në Kosovën tonë.



