Varreza e dyshuar masive në Zubin Potok, familjarja e të zhdukurit: Jam 100 për qind e bindur se janë aty
Dyshimet për një varrezë masive në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut kanë rikthyer në qendër të vëmendjes plagët e luftës dhe fatin e personave të zhdukur.
Lutfije Ademi-Vokshi, motra e kirurgut dhe intelektualit Adem Ademi, i cili dyshohet se mund të jetë një nga viktimat e varrezës së dyshuar masive, ka thënë se është e bindur se aty mund të jenë varrosur anëtarët e grupit të intelektualëve që u zhdukën gjatë luftës.
Ajo ka treguar se familja e saj prej më shumë se dy dekadash jeton në ankth dhe pritje për të mësuar fatin e vëllait të saj.
“Për dy dekada e gjysmë ne jetojmë në ankth, në pritje. Meqenëse flitet për këtë gërmim, edhe në bazë të vendit ku flitet dhe në bazë të ngjarjes që ka ndodhur, unë si familjare nuk dyshoj hiç. Jam 100 për qind e bindur se janë aty, edhe pse kjo nuk është zyrtare”, ka deklaruar ajo në “Klan Kosova:..
Ademi Vokshi e ka përshkruar vëllain e saj si një kirurg të përkushtuar, i cili gjatë luftës ka shërbyer në Shalë të Bajgorës dhe në kuadër të Brigadës 144.
Sipas saj, ai ka vazhduar të punojë edhe gjatë kohës së luftës, ndërsa pacientët e kanë kërkuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij.
“Kam pasur rastin të takohem me shumë pacientë. Thonë që ai ka qenë doktor që na ka shëruar me fjalë, jo vetëm me operacione, por edhe me fjalë”, ka rrëfyer ajo.
Ndërkohë, gazetarja Altiana Zogaj ka raportuar se Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konstatuar se pjesët kockore të gjetura në lokacion janë të natyrës njerëzore.
Sipas saj, gërmimet po vazhdojnë në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ndërsa rasti ka ngjallur interesim të madh te familjarët e personave të zhdukur, veçanërisht për shkak të lokacionit dhe dyshimeve për një varrezë masive.
Procesi i gërmimeve dhe ekzaminimeve pritet të vazhdojë, ndërsa identifikimi i mbetjeve mortore do të mund të japë përgjigje për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.



