Kamberi: Diskursi i Vuçiqit nuk dallon nga ai i Millosheviqit

03 gusht 2026 | 11:13

Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe ministres së tij, Snezhana Paunoviq, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka cilësuar si pjesë të politikës së brendshme ditore, me synim përfitimin e elektoratit nacionalist.

Vuçiqi, duke deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa Paunoviq me deklaratat e saj se do ta pastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët në vitin 1998, kanë nxitur reagime nga përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin e Serbisë.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, për “Tëvë1” ka thënë se këto deklarata janë vazhdimësi e një qasjeje politike që, sipas tij, nuk dallon nga ajo e kohës së Sllobodan Millosheviqit.

“Është pjesë e politikës zyrtare. Vazhdojnë ta ndjekin një diskurs të atillë që dëshmon qartë se kjo Serbi e Vuçiqit nuk është larg, por është e njëjtë me Serbinë e Millosheviqit në raport me shqiptarët dhe Kosovën. Vazhdojnë ta mohojnë realitetin e Kosovës”, ka thënë Kamberi.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, ka thënë se retorika të tilla nga zyrtarët serbë janë përdorur edhe më herët, sidomos në periudha kur ka zhvillime politike apo procese zgjedhore.

“Kjo është retorika serbe që ka qenë edhe më përpara, është edhe tash, edhe kur nevojitet ndonjë qasje politike ose kur kanë zgjedhje”, është shprehur ai.

Dashevci ka thënë se deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë duhet të shihen me seriozitet nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa ka kërkuar një qasje më aktive diplomatike nga institucionet e Kosovës.

“Këto retorika që i bëjnë ky president, ministrja e tij, kryeparlamentarja e tij, por edhe krimineli i tij, Vuçiqi i sheh. Bashkësia ndërkombëtare i sheh, por diplomacia jonë duhet të jetë tepër më proaktive sesa që është tash, t’i alarmojë partnerët strategjikë”, ka thënë Dashevci.

Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, deklaratën për “spastrimin etnik” të Kosovës e ka bërë më 11 korrik 2026, gjatë një interviste për median serbe “Kurir”.

Qeveria e Kosovës ka reaguar menjëherë duke e shpallur ministren serbe person non grata në mënyrë të përhershme për Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm pak ditë para se të festojë ditëlindjen e saj…