Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore

03 gusht 2026 | 13:39

Mbi 123 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e Arsimit.

Sipas ministrisë, gjatë procesit të aplikimit nuk është shfaqur ndonjë problem në sistem, ndërsa tashmë janë në fazën e analizimit për ndarjen e shumës së mjeteve për nxënësit. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht 2026.

Ministria e Arsimit ka përsëritur thirrjen drejtuar prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të aplikojnë sa më shpejt për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.

Deri më tani, kanë aplikuar mbi 123 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Drejtoresha e Departamentit për Arsim Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Anita Kadriu, i ka thënë “Radio Kosovës” se procesi i aplikimit është duke funksionuar si duhet dhe deri më tani nuk është shfaqur ndonjë problem.

“Deri sot, e hënë, datë 3 gusht, kanë aplikuar 123 mijë e 829 prindër dhe kujdestarë ligjorë. Ne si ministri u kemi bërë thirrje të gjithë prindërve që ende nuk kanë aplikuar, ta bëjnë këtë sa më parë, në mënyrë që mjetet financiare të transferohen me kohë në xhirollogaritë e tyre. Deri më tani nuk ka pasur vështirësi apo ndonjë problem gjatë aplikimit për sa i përket sistemit”, ka thënë Kadriu.

Tutje, Kadriu ka folur edhe për buxhetin që pritet të ndahet për nxënësit për këtë vit shkollor, për të cilin ka thënë se ende nuk është caktuar shuma, pasi janë në fazën e analizimit të teksteve që nxënësit duhet të blejnë.

“Për shumën, sa do të subvencionohen prindërit, Ministria e Arsimit është duke bërë një kalkulim. Konsiderojmë që edhe shuma që do të ndahet duhet të jetë e përshtatshme me numrin e teksteve që do të ketë secili nxënës, pra që të mos ketë më pak mjete sesa ka tekste mësimore. Kështu që, derisa të aplikojnë të gjithë prindërit, do ta dimë edhe numrin e saktë të nxënësve, pastaj ministria do të dalë edhe me shumën që do të subvencionojë”, ka shtuar ajo.

Tutje, ajo ka bërë të ditur se për herë të parë këtë vit, të drejtë aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore do të kenë edhe shtetasit e huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të vendit.

Ministria e Arsimit aktualisht është në fazën e grumbullimit të emrave të koordinatorëve në të gjitha shkollat, ka theksuar Kadriu, duke shtuar se të gjitha aplikimet do të verifikohen, njësoj si vitin e kaluar, përmes shkollave dhe koordinatorëve të autorizuar në shkolla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një fabrikë birre artizanale në shtetin amerikan të Wisconsin-it ka…