Pas njoftimit të Prokurorisë Speciale, IML-ja zbarkon në Jabukë për zhvarrim, i pranishëm edhe EULEX-i
Në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, ku dyshohet se ekziston një varrezë masive, të hënën kanë arritur ekipet e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Një ditë më parë, autoritetet e Kosovës njoftuan se, në kuadër të hetimeve për lokacionin në Kalludër të Zubin Potokut, ku po zhvillohen gërmime për një varrezë të dyshuar masive, është identifikuar edhe lokacioni në Jabukë.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë me dije se kanë kërkuar nga Gjykata Themelore autorizimin për zhvillimin e gërmimeve në këtë lokacion.
Ekipet kompetente pritet të kryejnë veprimet e nevojshme në terren, ndërsa çdo gjetje do t’i nënshtrohet procedurave mjeko-ligjore për të përcaktuar natyrën dhe identitetin e mbetjeve eventuale.



