A i duhen Kosovës lobistë në ShBA?

04 gusht 2026 | 14:21

Në Uashington, lobimi është pjesë e politikës. Qeveritë nga e gjithë bota paguajnë firma private për të siguruar qasje te institucionet amerikane, për të organizuar takime dhe për të promovuar interesat e tyre politike, ekonomike apo të sigurisë. Për më shumë se dy dekada, edhe Kosova ka ndjekur të njëjtën politikë. Por kjo ka ndryshuar.

Që nga qershori i vitit 2024, Kosova nuk ka asnjë kontratë aktive lobimi të regjistruar sipas ligjit amerikan për agjentët e huaj, të njohur si FARA. A është kjo problematike?

Për ish-ministrin e Jashtëm, Petrit Selimi, nuk ka dilemë. Sipas tij, veçanërisht gjatë administratës së presidentit Donald Trump, firmat lobuese luajnë rol kyç, sepse krijojnë qasje te njerëzit që marrin vendime.

“Është asgjë më pak se tragjike dhe krejtësisht e pakuptueshme që Kosova e ka dobësuar njëkohësisht praninë e saj diplomatike në Uashington dhe ndërveprimin me lobistët privatë amerikanë”, ka thënë Selimi.

Por ka edhe një këndvështrim krejt tjetër. Robin Brooks, ish-zyrtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, beson se diplomacia nuk duhet t’u delegohet lobistëve.

Sipas saj, ata mund të krijojnë konflikte interesi, mungesë transparence dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht interesat afatgjata të shtetit prej nga vijnë.

“Unë do të preferoja shumë më tepër të punoja me një koleg, një diplomat për të cilin e di se përfaqëson ministrin e Jashtëm, presidentin apo kryeministrin e vendit të tij”, ka thënë Brooks.

Mes këtyre dy qëndrimeve pozicionohet Blerim Vela, ish-shef i kabinetit të ish-presidentes Vjosa Osmani. Ai ka thënë se lobimi është i dobishëm, por vetëm nëse është pjesë e një strategjie më të gjerë.

Sipas tij, shtylla kryesore duhet të mbetet Ambasada e Kosovës në Uashington, pastaj angazhimi i diasporës dhe vetëm më pas firmat private të lobimit.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës duhet ta kryejnë punën e tyre. Puna e tyre primare është të sigurohen që ambasadat të kenë sa më shumë diplomatë. Pastaj, t’i përcaktojnë qëllimet…”, ka deklaruar Vela.

“Radio Evropa e Lirë” ka pyetur Presidencën dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për planet e Kosovës lidhur me lobimin në Uashington, por nuk ka marrë përgjigje.

Në një kohë kur Kosova ende pret nisjen e dialogut strategjik me ShBA-në dhe Uashingtoni kërkon një partner më funksional në Prishtinë, vendet e tjera të rajonit vazhdojnë ta përdorin lobimin si pjesë të politikës së tyre të jashtme.

Bosnja dhe Hercegovina ka 16 kontrata lobimi me ShBA-në, Serbia 6, Shqipëria 4 dhe Maqedonia e Veriut 2. Këto kontrata mbulojnë fusha të ndryshme, nga ekonomia dhe energjia deri te promovimi i interesave politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka njoftuar se nga data 10 deri…