Kriza e emigrantëve, Von der Leyen: Vendet anëtare të BE-së të veprojnë së bashku për mbrojtjen e kufirit të jashtëm

04 gusht 2026 | 14:51

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian (BE) të veprojnë së bashku për mbrojtjen e kufijve të jashtëm, pas fluksit masiv të emigrantëve nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës.

Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 69 500 emigrantë janë kthyer në Marok, ndërsa bilanci i viktimave ka arritur në 72 në anën spanjolle dhe 11 në anën marokene.

Në një letër drejtuar kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, von der Leyen ka vlerësuar reagimin e autoriteteve spanjolle, por ka theksuar se ngjarja dëshmoi nevojën për forcimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Ajo ka kërkuar monitorim më të rreptë, përdorimin e barrierave fizike aty ku është e nevojshme dhe një përgjigje të koordinuar evropiane ndaj emigracionit të parregullt. Kriza ka nxitur edhe përplasje politike brenda BE-së. Italia ka pezulluar përkohësisht zbatimin e marrëveshjes Shengen me Spanjën, një vendim që është mbështetur edhe nga Finlanda dhe Danimarka, ndërsa Çekia ka kërkuar pezullimin e përkohshëm të Spanjës nga zona Shengen.

Nga ana tjetër, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka akuzuar disa qeveri evropiane se po politizojnë krizën dhe ka theksuar se Ceuta nuk është pjesë e zonës Shengen.

Ndërkohë, autoritetet spanjolle kanë deklaruar se situata në Ceuta po i rikthehet gradualisht normalitetit, ndërsa po vijojnë punën për vendosjen e një barriere lundruese në det, me qëllim pengimin e kalimeve të paligjshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komunat e udhëhequra nga Partia Demokratike e Kosovës kanë shënuar…