Vidhte burra të moshuar përmes aplikacioneve, e pëson keq influencerja e njohur!

04 gusht 2026 | 13:37

Një influencere nga Los Anxhelosi, e akuzuar se përdorte aplikacionet e takimeve për të vjedhur burra të pasur në moshë të thyer, është arrestuar sërish, këtë herë ndërsa ndodhej në lirim me kusht për akuza të tjera për vjedhje dhe grabitje. Adva Lavie, e njohur në rrjetet sociale edhe me emrin Mia Ventura, u arrestua nga policia e Beverly Hills mbrëmjen e 28 korrikut.

29-vjeçarja u vu në pranga në bazë të një urdhër-arresti për një vepër penale të dyshuar në qarkun Riverside. Autoritetet e akuzojnë gjithashtu se ka shkelur kushtet e lirimit, pasi dyshohet se ka hequr byzylykun elektronik që ishte e detyruar të mbante. Pas arrestimit, gjykata revokoi lirimin e saj dhe urdhëroi që ajo të mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa një seancë për rishikimin e masës së sigurisë ishte planifikuar për 31 korrik.

Rasti i fundit lidhet me festivalin muzikor Coachella në vitin 2025. Sipas hetuesve, Lavie kishte qëndruar në një banesë të marrë me qira në Indio së bashku me një burrë, të identifikuar vetëm me emrin Oscar, pasi ishin njohur përmes miqve të përbashkët.

Sipas kallëzimit, ajo u zemërua pasi burri refuzoi t’i siguronte falas një biletë hyrëse për festivalin. Më pas, dyshohet se hyri në makinën e tij Tesla, e cila ishte lënë e pambyllur, dhe vodhi një orë Rolex me vlerë 8.600 dollarë, syze Louis Vuitton me vlerë 700 dollarë, një mbajtëse kartash të së njëjtës markë me vlerë 1.800 dollarë, si dhe kartën e parkimit për persona me aftësi të kufizuara.

Hetuesit thanë se kamerat e sigurisë në pronë duket se e kanë filmuar 29-vjeçaren duke marrë sendet, ndërsa viktima deklaroi për NBC Los Angeles se “u ndjeva i dhunuar”. Lavie përballet tashmë me gjashtë akuza penale në qarkun e Los Anxhelosit, përfshirë dy raste të vjedhjes së rëndë, dy raste grabitjeje në banesa dhe dy raste të përdorimit të paautorizuar të të dhënave personale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Historia e Brendon Grimshaw është një nga shembujt më të…