Aliu pas intervistimit në Prokurori: Kam vepruar në përputhje me ligjin, ndihem i lehtësuar

05 gusht 2026 | 14:48

Ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, pas intervistimit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka deklaruar se ka sqaruar të gjitha çështjet që lidhen me pretendimet ndaj tij, duke theksuar se gjatë ushtrimit të detyrës ka vepruar në përputhje me ligjin.

Aliu ka thënë se pas dy vitesh ka pasur mundësinë të japë versionin e tij dhe se ndihet i lehtësuar pas përfundimit të intervistimit. “Është lehtësim që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë të vij dhe ta sqaroj situatën para prokurorisë për gjithë atë pretendim të vazhdueshëm ndaj meje. Gjatë gjithë periudhës sa kam qenë ministër kam vepruar në përputhje me ligjin dhe sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit”, ka deklaruar Aliu.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë vendim që mund të lidhet me të në këtë rast, ndërsa ka shtuar se çështja ka qenë objekt i auditimit dhe hetimeve të brendshme.

“Për pretendimin për mosveprim, i tërë rasti ka qenë i audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe janë dhënë rekomandime, mbi bazën e të cilave është vepruar”, ka thënë ai.

Ndërsa avokati i tij, Artan Qerkini, ka deklaruar se Aliu i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë pa hezitim dhe ka dhënë të gjitha sqarimet e kërkuara në cilësinë e personit të dyshuar. “Zoti Aliu i është përgjigjur ftesës së prokurorisë pa asnjë hezitim. Ka dhënë të gjitha shpjegimet për funksionin e tij si ministër dhe përgjegjësitë që ka pasur në lidhje me pretendimet e prokurorisë”, ka deklaruar Qerkini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një kohë kur çdo shpenzim ka rëndësi, Petrol Company…