Çitaku i reagon Kurtit: Albin, mjaft – konstituoje Kuvendin dhe lëre Kosovën të ecë përpara

06 gusht 2026 | 12:49

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në “Facebook”, Çitaku ka deklaruar se zvarritja e formimit të institucioneve nuk është pasojë e rrethanave, por një zgjedhje politike e Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sot nuk kishte asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për Kryetar të Kuvendit dhe që Kuvendi të mos votohej për konstituimin e tij. Aq më tepër kur Gjykata Kushtetuese ka qenë krejtësisht e qartë në aktgjykimin e saj: Kuvendi jo vetëm duhet të mblidhet, por duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka deklaruar se mosveprimi i sotëm, sipas saj, përbën shpërfillje të rendit kushtetues dhe të detyrimeve që dalin nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Është shpërfillje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues dhe e detyrimeve që burojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Kosova nuk mund të mbahet peng për llogari të kalkulimeve politike të një njeriu apo një partie. Albin, mjaft. Konstituoje Kuvendin menjëherë dhe lëre Kosovën të ecë përpara”, ka shkruar Çitaku.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mirlind Daku është zyrtarisht lojtar i ri i Spartak Moskës.…