Trumpi përplaset me Hegsethin për mungesën e raketave pas luftës me Iranin?, Shtëpia e Bardhë: 100 për qind e pavërtetë!

06 gusht 2026 | 10:59

Presidenti amerikan Donald Trump është përballur me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, lidhur me shqetësimet për mungesën e raketave në arsenalin amerikan pas konfliktit me Iranin, ka raportuar The Washington Post, duke cituar burime të informuara.

Sipas këtij raportimi, tensionet janë shfaqur gjatë një takimi në Camp David, ku Trump ka kërkuar sqarime nga Hegseth për rënien e rezervave të raketave amerikane.

Ndërkohë, CNN ka raportuar se Shtetet e Bashkuara kanë përdorur rreth 80 për qind të rezervave të raketave gjatë operacioneve ushtarake kundër Iranit. Hegseth e ka mohuar këtë raportim, duke e cilësuar si “lajm të rremë”.

Sipas The Washington Post, gjatë takimit Trump ka shprehur shqetësim për mungesën e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe interceptorëve të mbrojtjes ajrore. Burimet kanë thënë se kjo çështje ka ndikuar në vendimin e presidentit amerikan për të mos urdhëruar sulme të reja ndaj Teheranit.

Sipas të njëjtave burime, Hegseth ia ka atribuar përgjegjësinë për këtë situatë zëvendësit të tij, Stephen Feinberg.

Ndërkaq, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i ka mohuar kategorikisht këto raportime.

“Kjo histori është 100 për qind e pavërtetë. Presidenti Trump ka besim të plotë te sekretari Hegseth”, ka deklaruar Leavitt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luana Vjollca ka ndarë me ndjekësit një tjetër moment nga…