Thirrja e seancës për nesër, Hamza: Po dhunohet Kushtetuta, demokracia dhe ligjet e vendit

07 gusht 2026 | 19:49

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nga holli i Kuvendit, deklaroi se me thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive për të shtunën në orën 11:00, po dhunohet Kushtetuta, demokracia dhe ligjet e vendit.

Në një prononcim për media, teksa kreu i PDK-së po shkonte për takim me Grupin Parlamentar të partisë, tha se Kuvendi duhet të konstituohet më së voni sonte.

“Situata është serioze, është duke u cenuar demokracia, kushtetuta, është duke u prodhuar një situatë që mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme për vendin. Duhet t’i respektojmë ligjet dhe Kushtetutën, dhe aktgjykimi i GJK-së është i qartë që Kuvendi duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, dhe data e fundit ka qenë sot”.

“Cila është logjika, përveç dhunimi i Kushtetutës, demokracisë dhe i ligjeve që seanca nuk vazhdon sonte por thirret për nesër? Kjo është krejtësisht e papërgjegjshme. Ne si PDK nuk do të jemi pjesë e lojërave të tilla të papërgjegjshme, jo serioze, me oferta aspak serioze, me biseda aspak serioze për t’i dhënë vendit institucione, dhe sigurisht se ne do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme politike, demokratike në mbrojtje të demokracisë, të shtetit, por edhe të Kushtetutës”, tha kreu i PDK-së.

Ai tha se në mbledhjen që do të mbajnë me Grupin Parlamentar, do të diskutojnë për këto çështje dhe pas saj do të dalin me qëndrim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Andin Hoti, ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës…