Sveçla: Largimi gradual i KFOR-it nga Ura e Ibrit lajm i mirë, Kosova po forcohet

10 gusht 2026 | 21:54

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka mirëpritur nisjen e procesit gradual të largimit të trupave të KFOR-it nga ura kryesore e Mitrovicës.

Sveçla ka thënë se procesi do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri më tani ka pasur përgjegjësinë për sigurinë në këtë urë, ndërsa Policia e Kosovës po punon në rritjen e kapaciteteve të saj.

“Patjetër që ky është një lajm i mirë. I gjithë procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani ka pasur përgjegjësinë e sigurisë në këtë urë”, ka deklaruar Sveçla për RTK Live.

Ai ka theksuar se, me përmirësimin e situatës së sigurisë, pritet të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës në urën kryesore.

“Sigurisht që me përmirësimin e sigurisë edhe vetë prezenca e Policisë së Kosovës do të reduktohet. Është një proces afatshkurtër, i cili do të ofrojë garancë për të gjithë se hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ ndaj askujt”, ka thënë Sveçla.

Sipas tij, në ditët në vijim do të ketë hapa të tjerë konkretë lidhur me këtë proces.

“Do të vijë momenti kur hapat e ardhshëm edhe do të bëhen publikë, edhe do të shihen ashtu siç po shihen sot. Dhe një gjë e cila ka qenë brengë, por edhe simbol i ndarjes për 27 vite, do të jetë një kujtim”, është shprehur ai.

Sveçla ka thënë se institucionet janë të angazhuara që procesi të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa ka paralajmëruar edhe zhvillime të reja në këtë drejtim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dashur vëllezër e motra, Familje të dëshmorëve, Bashkëluftëtarë, Invalidë…