Dehari po i nënshtrohet LV-së, Kuvendi të kthehet në binarët kushtetues

13 gusht 2026 | 08:11

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, se po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.

Në një konferencë për media nga holli i Kuvendit të Kosovës, Çitaku tha se PDK-ja nuk po kërkon pushtet për partinë, por funksionalizimin e institucioneve dhe mundësimin e ushtrimit të mandatit nga deputetët.

“Zoti Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit. Ai po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij”, deklaroi Çitaku.

Ajo tha se situata aktuale nuk është vetëm një incident procedural, por sipas saj, një model i përsëritur i sjelljes politike.

“Fillimisht Kuvendi nuk u konstituua brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Më pas u shpërfill detyrimi procedural për vazhdimin e seancës konstituive çdo 48 orë. Dhe tani, pas kërkesës sonë, u refuzua kërkesa për thirrjen e seancës. Pra, nuk kemi të bëjmë me një incident procedural, por kemi një model të sjelljes politike”, tha ajo.

Çitaku e cilësoi të papranueshme që, sipas saj, vullneti i një partie politike të vendoset mbi Kushtetutën dhe institucionet.

“Kur vullneti i një partie politike vendoset mbi Kushtetutën, mbi rregullat dhe mbi institucionet, atëherë kemi suspendim praktik të rendit kushtetues dhe të demokracisë”, u shpreh ajo.

Sekretarja e PDK-së tha se deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga qytetarët.

“Këto mandate nuk na i kanë dhënë Albin Kurti dhe LVV-ja, mandatet na i ka dhënë qytetari i Republikës së Kosovës. Prandaj na takon mandati në këtë Kuvend që t’i përfaqësojmë ata”, tha Çitaku.

Ajo akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se përmes bllokimit të konstituimit të Kuvendit po pamundëson ushtrimin e mandateve të deputetëve.

“Ky nuk është vetëm suspendim i Kuvendit, ky është suspendim i demokracisë”, deklaroi Çitaku.

Ajo i bëri thirrje Kurtit dhe LVV-së që të reflektojnë dhe ta kthejnë procesin në kornizën kushtetuese.

“Ta kthejmë Kuvendin në binarë kushtetues, ta konstituojmë Kuvendin, t’u lejojmë deputetëve që të ushtrojnë mandatin e tyre”, tha ajo.

Çitaku theksoi se PDK-ja nuk po kërkon marrëveshje për interesat e saj partiake.

“Nuk po kërkojmë marrëveshje për PDK-në, por po e kërkojmë funksionalizimin e shtetit”, u shpreh ajo.

Ajo njoftoi se PDK-ja do të bëjë sërish kërkesë për thirrjen e seancës së Kuvendit pas 48 orësh, ndërsa paralajmëroi se aktivitetet e partisë mund të zhvendosen edhe jashtë Kuvendit.

Në fund, Çitaku tha se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për institucione funksionale dhe jo për zgjatje të krizës politike.

“Republika është mbi secilin prej nesh, Kushtetuta është mbi çdo parti dhe Kuvendi duhet t’u kthehet qytetarëve”, tha ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga sundimtari-fëmijë i burgosur në Pallatin e Ndaluar te ish-perandori…