Gruda: Pavarësisht dallimeve politike, Ramush Haradinaj është hero i gjallë i Kosovës
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka komentuar deklaratën e një mërgimtari në Kuvendin e Kosovës, i cili më 12 gusht bëri thirrje për pushkatimin e deputetit Ramush Haradinaj dhe më pas u arrestua nga Policia e Kosovës.
Gruda ka thënë se, pavarësisht dallimeve politike me Haradinajn, statusi i tij si figurë e luftës së Kosovës nuk duhet të vihet në diskutim.
“Besoj në Kosovë mund të kemi dallime politike plot, mund të kemi lloj-lloj vlersimesh politike me Ramush Haradinaj, por që Ramush Haradinaj është një hero i gjallë i Kosovës, ajo nuk diskutohet. Edhe ti më dëgjuar, njeriun që thotë ato fjalë është trishtuese, po ajo ta dini, ajo është ushqyer, ajo lloj propagande me vite dhe vazhdon të ushqehet prej pushtetit, sigurisht ajo manifestohet tani në forma të tilla”, ka thënë ai.
Personi që ka bërë thirrjen për pushkatimin e Haradinajt është arrestuar të mërkurën nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.



