Rama: Ukraina e ka gabim për Kosovën, por Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë

13 gusht 2026 | 13:48

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në platformën “X” pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën.

Rama ka thënë se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës nuk duhet të ndikojë në mbështetjen e Shqipërisë për popullin ukrainas dhe të drejtën e tij për liri.

Ai ka kritikuar ata që, pas deklaratës së Zelenskyt, kanë kërkuar që Shqipëria të ndryshojë qëndrimin ndaj Ukrainës, duke theksuar se mbështetja për një popull që përballet me luftë nuk mund të kushtëzohet nga përfitimet politike.

“Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zëshëm popullistë në Tiranë dhe Prishtinë nisën të bëjnë llogaritë gjeopolitike: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të mos e mbështesim më të lirën dhe të mos vajtojmë për viktimat e bombardimeve. Më të pamaturit prej tyre na sulmuan pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Madje, disa brohoritën për Rusinë!”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se mbështetja ndaj Ukrainës nuk është çështje shkëmbimi politik, por parim në mbështetje të lirisë dhe paqes. “Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk funksionon me kthim shpërblimesh”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, qëndrimi kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk mund të ndryshojë për shkak të një qëndrimi politik të palës së mbështetur.

“Ukraina mund të jetë dhe po, ajo e ka gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme. Të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh për Evropën dhe për veten tonë gjithashtu”, ka shkruar Rama.

Rama ka thënë se këto dy qëndrime mund të bashkëjetojnë dhe se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.

“Këto të vërteta mund të bashkëjetojnë fare mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë. Pra, po: UKRAINË E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë”, ka shkruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina ka rimarrë kontrollin e 745 kilometrave katrorë territor të…