Mustafa ftesë VV-së: Thirreni sonte seancë, themelojeni edhe Qeverinë
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po insiston për zgjedhjen e një presidenti të përbashkët, i cili do t’i përfaqësonte të gjitha partitë.
“Kurti po insiston një president i përbashkët që përfaqëson të gjitha partitë. LDK i tha po, pajtohemi. Jo që po pajtohemi po s’po dojmë hise në kuvend e as në qeveri dhe po pajtohemi që ta gjejmë një president të gjithëve”.
Mustafa ka thënë se, sipas tij, janë krijuar të gjitha kushtet për konstituimin e institucioneve dhe se ka pritur që Lëvizja Vetëvendosje të ndërmerrte veprime për thirrjen e seancës qysh nga mbrëmë pas deklarimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Janë pjekur të gjitha kushtet. Unë kam pritur që LVV të ketë veprime të sinqerta shtetformuese dhe mbrëmë menjëherë të ftonte seancën. Dhe menjëherë të konstituohej kuvendi, të bënte propozimet për qeveri, dhe të mbyllej kjo temë. Dhe nga sot të kishim 60 ditë për diskutimet për president të përbashkët”, tha deputeti në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Ai ka kritikuar Kurtin për mungesën e një përgjigjeje konkrete lidhur me këtë çështje, duke thënë se LDK-ja nuk po kërkon pjesë në Kuvend apo Qeveri.
“Jo që nuk pati asnjë përgjigje mbrume, por sot Kurti kishte filluar me “miku im” por nuk dha asnjë përgjigje konkrete. Askush përfshirë LDK-në nuk po të kërkon hise në Kuvend e as në Qeveri, po ulemi dhe po flasim për një president, nuk ka përgjigje. Nuk ka përgjigje publike për këtë temë, është e çuditshme dhe e palogjikshme dhe e pakuptueshme pse VV-ja, jo mbrëmë por as sot e as nuk duket që është e planifikuar që të ftojnë sa më shpejt një seancë për të themeluar Kuvendin e Qeverinë. Pse nuk e ftojnë, është joserioze dhe jo shtetformuese. Një parti që e do Kosovën do ta bëntë qysh mbrëmë”.
Mes tjerash, Mustafa i ka bërë thirrje LVV-së që ta thërrasë sa më shpejt seancën konstituive dhe të formojë Qeverinë.
“Nga këtu, t’i bëj ftesë të gjithë miqve tanë në VV që sa më shpejt, sot tash, sonte le ta ftojnë seancën konstituive, le ta themelojnë Qeverinë që sonte dhe nga nesër, 60 ditë e tutje të fillojmë të diskutojmë për një president të përbashkët, siç ka deklaruar edhe VV që kanë interesim për një president të përbashkët”, theksoi ai.



