Oda Amerikane bën thirrje për përgjegjësi politike dhe për t’i dhënë fund bllokimit institucional

14 gusht 2026 | 13:52

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për bllokimin e vazhdueshëm politik dhe institucional, si dhe për përplasjet brenda Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga partitë politike uljen e tensioneve dhe rikthimin e dialogut.

Sipas Odës Amerikane, mospajtimet politike nuk mund të arsyetojnë sjelljet që dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet demokratike. Ajo ka theksuar se kriza e zgjatur politike po shkakton kosto të konsiderueshme ekonomike dhe sociale, duke dobësuar besimin e investitorëve, vonuar investimet, reformat dhe projektet infrastrukturore, si dhe duke kufizuar qasjen në financa ndërkombëtare.

Oda ka vlerësuar gjithashtu se funksionimi i zgjatur i një qeverie në detyrë pa një Kuvend të konstituuar e dobëson mbikëqyrjen parlamentare, llogaridhënien dhe kontrollin institucional, duke rritur rreziqet për keqpërdorim të resurseve publike, mungesë transparence dhe abuzim institucional.

Ajo ka përmendur edhe thirrjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për krijimin e institucioneve funksionale në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se bllokimi i mëtejshëm po i kushton Kosovës mundësi të rëndësishme.

Sipas Odës Amerikane, të gjitha partitë parlamentare kanë përgjegjësi për të kontribuar në zgjidhjen e krizës, por përgjegjësia kryesore i takon forcës politike që ka marrë numrin më të madh të mandateve, e cila duhet të krijojë kushtet për konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të ulin tensionet, të rikthejnë dialogun dhe të vendosin stabilitetin demokratik, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe interesat euroatlantike të Kosovës mbi kalkulimet politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara…