Skadon afati 60-ditor, ShBA-ja dhe Irani pa marrëveshje
Afati 60-ditor i marrëveshjes së përkohshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka përfunduar pa një marrëveshje konkrete për përfundimin e luftës.
Memorandumi i mirëkuptimit, i nënshkruar më 17 qershor nga presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian, synonte ndaljen e armiqësive dhe arritjen e një marrëveshjeje finale brenda 60 ditësh.
Marrëveshja parashikonte, mes tjerash, rihapjen e ngushticës së Hormuzit, lehtësimin e disa kufizimeve financiare ndaj Iranit dhe vazhdimin e negociatave për programin bërthamor të Teheranit.
Megjithatë, marrëveshja është përfshirë shpejt nga mosmarrëveshjet dhe sulmet ushtarake rifilluan në fund të qershorit.
Më 8 korrik, Trumpi ka deklaruar se memorandumi ishte “i përfunduar”, shkruan CNN.
Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve vazhdojnë. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka thënë se ende nuk është marrë vendim për rifillimin e negociatave me ShBA-në.
Edhe pse sulmet e drejtpërdrejta mes forcave amerikane dhe Iranit janë pezulluar, dhuna në rajon vazhdon përmes grupeve të mbështetura nga Teherani.
Administrata amerikane ndërkohë po synon të shtojë presionin ekonomik ndaj Iranit, ndërsa presidenti Trump ka kërcënuar edhe me masa të reja lidhur me ngushticën e Hormuzit.



