Aksident në Smrekonicë të Vushtrrisë, vdesin dy të rinj
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të aksidentit të rëndë në rrugën nacionale Mitrovicë – Prishtinë, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Smrekonicë, ku si pasojë dy të rinj kanë humbur jetën.
Policia ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:53.
“Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, në aksident është përfshirë një veturë, në të cilën ndodheshin shoferi dhe pasagjeri. Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit kompetent, trupat e pajetë të viktimave, meshkuj të moshës 22 dhe 24 vjeç, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Njësia Rajonale e Trafikut, në koordinim dhe nën udhëheqjen e prokurorit kompetent, është duke ndërmarrë veprimet hetimore për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.



