Imeri: Kundërshtimi i hapjes së urës bie ndesh me frymën e integrimit evropian

19 gusht 2026 | 22:15

Njohësi i proceseve politike në Kosovë, Dorajet Imeri, ka vlerësuar se kundërshtimi ndaj hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë është në kundërshtim me frymën e integrimit evropian dhe me parimin e lirisë së lëvizjes.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Imeri ka thënë se ura duhet të shërbejë si instrument i afrimit dhe komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe jo si vijë ndarëse. Sipas tij, është paradoksale që në një kohë kur rajoni synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe zvogëlimin e barrierave ndërmjet shteteve dhe popujve, të ketë insistim për mbajtjen e një ure të mbyllur.

Ai ka kritikuar qëndrimin e Listës Serbe, duke e cilësuar atë si politikë të ndarjes, e cila, sipas tij, është në kundërshtim me procesin e normalizimit dhe me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

“Epoka e re”: Z. Imeri, debati për urën kryesore të Mitrovicës vazhdon të prodhojë qëndrime të kundërta. Përtej dimensionit praktik, çfarë përfaqëson politikisht kjo çështje?

Dorajet Imeri: Ura kryesore në Mitrovicë është e qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve, serbëve, komuniteteve të tjera, qytetarëve të BE-së, urë që lidh qytetarët, mundëson integrimin dhe komunikimin. Prandaj, ajo duhet të jetë simbol dhe instrument i afrimit të njerëzve, jo vijë që i ndan ata.

Në këtë kuptim, debati për urën nuk është thjesht debat për një infrastrukturë apo për mundësinë e kalimit nga njëra anë në tjetrën. Në një Evropë që synon t’i bëjë kufijtë gjithnjë e më pak të dukshëm, është paradoksale të insistohet në mbajtjen e një ure të mbyllur. Rajoni synon integrimin në BE, largimin e kufijve mes shteteve dhe popujve. “Politika e Listës Serbe”, politika e ndarjes, politika e Serbisë dhe Rusisë, kërkon që t’i mbajë të mbyllura edhe urat!

“Epoka e re”: Atëherë, sipas jush, ekziston një përplasje ndërmjet politikës së integrimit evropian dhe qëndrimit për mbajtjen e urës së mbyllur?

Dorajet Imeri: Absolutisht, sepse kjo është një politikë që bie ndesh me vetë frymën e integrimit evropian, e cila synon afrimin, komunikimin dhe tejkalimin e barrierave ndërmjet qytetarëve dhe popujve. Liria e lëvizjes është një prej vlerave themelore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja dhe ajo nuk mund të mbështetet në mënyrë selektive, vetëm atëherë kur i përshtatet një interesi të caktuar politik.

Pikërisht për këtë arsye, çështja duhet parë edhe në raport me atë që kërkohet politikisht në Bruksel. Normalizimi i raporteve nuk mund të kërkohet në Bruksel dhe të kundërshtohet në frymë dhe germë, në vlerat themelore, te liria e lëvizjes përmes urës kryesore në Mitrovicë; nuk mund të kërkohet normalizim në tavolinën e dialogut dhe, njëkohësisht, të kundërshtohet normaliteti në terren.

“Epoka e re”: Si e shihni në këtë kontekst rolin e Listës Serbe dhe kundërshtimin e saj ndaj hapjes së urës?

Dorajet Imeri: Një subjekt që pretendon të jetë parti politike, si Lista Serbe është kundër hapjes, me synim të mbajtjes në izolim të komunitetit që përfaqëson. Këtu qëndron edhe kundërthënia e këtij pozicioni politik.

Në vend që të kërkojë më shumë komunikim, më shumë liri të lëvizjes dhe më shumë integrim për qytetarët që pretendon se i përfaqëson, ajo kërkon vazhdimin e një gjendjeje që i mban ata të ndarë dhe të izoluar. Një paradoks unik në Ballkan dhe më gjerë.

“Epoka e re”: A mund të thuhet, pra, se ura është shndërruar në një test mes dy koncepteve politike – integrimit dhe ndarjes?

Dorajet Imeri: Në thelb, po. Nga njëra anë kemi konceptin që synon afrimin e qytetarëve, lirinë e lëvizjes, komunikimin dhe integrimin; nga ana tjetër kemi insistimin për ruajtjen e barrierave. Pikërisht këtu bëhet e qartë se çfarë simbolizon kjo çështje: a duam ura që lidhin qytetarët apo barriera që vazhdojnë t’i mbajnë ata të ndarë?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Richard Grenell vazhdon të ketë opinion të fortë për Kosovën…