Deliu-Kodra: Kurti mund ta zgjedhë presidentin edhe pa 22 deputetët e PDK-së
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se institucionet e Kosovës nuk po respektojnë, sipas saj, Kushtetutën, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.
Ajo ka thënë se prioritet duhet të jetë konstituimi i Kuvendit dhe organeve të tij.
“Është e qartë që Kushtetuta është shkelur, është shkelur aktgjykimi final i Gjykatës Kushtetuese, rregullorja e Kuvendit dhe obligimi parësor i yni është që të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Deliu-Kodra.
Sipas saj, zgjedhja e presidentit është një çështje tjetër dhe nuk mund të ketë marrëveshje politike pa u përfunduar më parë procesi i konstituimit të Kuvendit.
“Albin Kurti e ka mundësinë që, pa 22 deputetët e PDK-së, ta zgjedhë presidentin, por nuk mund të flitet për marrëveshje politike pa u konstituuar Kuvendi dhe organet e tij”, është shprehur ajo.
Deliu-Kodra ka paralajmëruar se PDK-ja do të vazhdojë aksionet e saj në ditët në vijim, duke bërë të ditur se deputetët e kësaj partie do të jenë çdo mëngjes para qeverisë.
“Prandaj, ne do t’i vazhdojmë aksionet tona dhe do të jemi çdo mëngjes para Qeverisë”, ka përfunduar Deliu-Kodra.



