Sindikata e Re e KEK: 4 punëtorë vdiqën gjatë këtij viti – pse reagime vetëm pas tragjedive?

20 gusht 2026 | 20:10

Sindikata e Re e KEK-ut, ka reaguar pas vdekjes së punëtorit Arbenit Ahmeti, duke theksuar se vetëm gjatë vitit 2026, katër punëtorë të KEK-ut kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në vendin e punës.

Sindikata ka publikuar emrat e katër punëtorëvë që vdiqën në vendin e punës:

– Mixhen Sadiku

– Milazim Binaku

– Haxhi Gojnovci

– Arbenit Ahmeti

“Pas secilit rast tragjik dëgjojmë reagime nga menaxhmenti, Bordi, ministria dhe institucionet e tjera. Shprehen ngushëllime, premtohen masa, kërkohen sqarime dhe për disa ditë flitet për sigurinë në punë.

Por pyetja jonë është e qartë: Pse këto institucione reagojnë vetëm pasi ndodh tragjedia?”, thuhet në reagim.

Sindikata vlerëson se “problemi është se nuk po u paraprihet situatave të rrezikshme. Nuk po ndërtohet një sistem që e identifikon dhe eliminon rrezikun para se ai të marrë jetë.

Presim të ndodhë aksidenti, pastaj reagojmë, bëjmë deklarata dhe pas një kohe gjithçka harrohet – deri në tragjedinë e radhës”.

Tutje, në reagim theksohet:

Ne mendojmë se kjo nuk është vetëm çështje e sigurisë teknike. Është edhe çështje e menaxhimit dhe kulturës së punës në KEK.

Një menaxhim që bazohet më shumë në presion, frikë dhe masa ndëshkuese sesa në komunikim, motivim dhe respekt ndaj punëtorit, mund të quhet lirshëm menaxhim represiv dhe jo motivues.

Punëtori që punon në kushte të rrezikshme duhet të ketë siguri se mund të thotë: “Kjo punë është e pasigurt”, pa u frikësuar nga pasojat.

Punëtori duhet të dëgjohet para se të ndodhë aksidenti, jo vetëm të kujtohet pasi të ndodhë tragjedia.

Siguria nuk fillon pas aksidentit. Siguria fillon para tij.

Menaxhmenti, Bordi, ministria dhe të gjitha strukturat përgjegjëse duhet të kalojnë nga reagimi pas ngjarjes te parandalimi para ngjarjes.

Katër jetë të humbura vetëm brenda një viti duhet të jenë alarm serioz për të gjithë.

Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti nuk duhet të bëhen vetëm pjesë e një komunikate ngushëllimi dhe më pas të harrohen.

Kujtimi për ta duhet të shndërrohet në përgjegjësi, masa konkrete dhe ndryshim të mënyrës së menaxhimit të sigurisë dhe të punëtorëve.

Nuk duam më reagime pas tragjedive.

Duam veprime para se të humbet jeta e radhës.

Sindikata e Re e KEK-ut

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Jugut vlerëson se Koreja e Veriut zotëron midis…