Drejtues të UP-së dhe Universitetit Trakya të Turqisë takohen për fuqizim të bashkëpunimit
Një delegacion i lartë nga Universiteti Trakya i Edirnesë së Turqisë vizitoi Universitetin e Prishtinës për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët.
Mysafirët u njoftuan me historinë, të tashmen dhe planet për të ardhmen e Universitetit të Prishtinës në epokën e inteligjencës artificiale dhe zhvillimeve të vazhdueshme teknologjike.
Rektori, prof. Arben Hajrullahu, bëri të ditur se UP-ja është universiteti më i madh, më i vjetër dhe më i suksesshëm i Kosovës dhe i rendituri më së larti nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në rajon e botë.
Të dy universitetet dhe disa nga fakultetet e tyre kanë marrëveshje të mëhershme për të cilat u tha se mund të ketë nevojë të rishikohen, plotësohen e fuqizohen.
Rektori i Universitetit Trakya, prof. Mustafa Hatipler, propozoi një plan bashkëpunimi mes Fakultetit të Shkencave Mjekësore të universitetit që drejton dhe Fakultetit të Mjekësisë së UP-së, i cili do të mundësojë shkëmbim përvojash mes profesorëve e studentëve dhe punë të përbashkët praktike.
Rektorët Hajrullahu dhe Hatipler u pajtuan që ditëve në vijim të punohet që bashkëpunimi dhe marrëveshjet e mundshme të konkretizohen e të mbushen me përmbajtje.
Delegacioni nga Turqia kishte në përbërjen e tij edhe prorektorë, dekanë e profesorë nga Universiteti Trakya, të cilët përveç nga rektori Hajrullahu, u pritën edhe nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha dhe prodekanë e profesorë nga Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Filologjisë.
UP-ja një ndër prioritetet e tij kryesore e ka ndërkombëtarizimin, rrjetëzimin dhe praninë akademike kudo nëpër botë, prandaj krahas universiteteve nga vende të ndryshme të botës bashkëpunon ngushtë edhe me universitete nga Turqia.



