Haradinaj: 25 miliardë euro të shpenzuara, asnjë metër autostradë – Kurti shkon në Maqedoni të mburret me projektet e BDI-së
Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kritikuar ngecjen e projekteve infrastrukturore në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se, në vend që të përurohej autostrada e Gjilanit dhe ajo Klinë-Gjakovë, projekte që, sipas tij, kanë nisur prej shtatë vitesh, Kurti bashkë me kabinetin e tij kanë shkuar në Maqedoninë e Veriut për t’u mburrur me projekte të nisura gjatë kohës sa BDI-ja ishte në pushtet.
“Kryeministri në detyrë ka harruar detyrën që e ka! Në vend që sot të përurohej autostrada e Gjilanit dhe ajo Klinë-Gjakovë, që kanë filluar që 7 vjet, ai me kabinetin e tij shkojnë në Maqedoni për t’u mburrur me projektet e nisura sa ishte BDI në pushtet”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ai i është drejtuar Kurtit duke i kërkuar që të fokusohet në përfundimin e projekteve infrastrukturore në Kosovë.
“Hajde o zotni, e kryej punët e shtëpisë, se e more në qafë këtë vend. Ke premtuar që autostrada e Gjilanit kryhet në vitin 2023”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka kritikuar edhe shpenzimet e Qeverisë, duke pretenduar se janë shpenzuar rreth 25 miliardë euro, ndërsa, sipas tij, nuk është ndërtuar “asnjë metër autostradë”.
“Ajo lopatë me zhavor i kushtoi Kosovës 3 milionë tonë qymyr, dhuratë nga ti”, ka shkruar Haradinaj.



