IQMT-ja në aksion, gjobiten udhërrëfyesit turistikë pa licencë

26 gusht 2026 | 15:52

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka nisur aksionin për mbikëqyrjen e veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë në Kosovë, me fokus te personat që ushtrojnë këtë veprimtari pa licencën e nevojshme.

Sipas IQMT-së, gjatë ditës së sotme inspektimet janë duke u zhvilluar në regjionet e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me qëllim parandalimin dhe evidentimin e ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë.

Në kuadër të inspektimeve është evidentuar edhe angazhimi i udhërrëfyesve jo-vendas nga kompani turistike të vendeve të rajonit. IQMT-ja ka theksuar se, në rastet kur këta persona veprojnë pa licencën e kërkuar, ata janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Institucioni ka paralajmëruar masa ndaj operatorëve turistikë, personave juridikë, bizneseve individuale dhe personave fizikë që ushtrojnë ose mundësojnë ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik pa licencë.

“Ushtrimi i veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik në kundërshtim me dispozitat ligjore përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3,000 deri në 9,000 euro”, thuhet në njoftimin e IQMT-së.

Sipas institucionit, angazhimi i personave të palicencuar nuk paraqet vetëm shkelje ligjore, por mund të ndikojë edhe në mënyrën se si prezantohen historia, trashëgimia kulturore dhe vlerat turistike të Kosovës.

IQMT-ja u ka bërë thirrje operatorëve turistikë që udhërrëfyesit t’i angazhojnë në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara.

Institucioni ka inkurajuar kompanitë turistike që të angazhojnë udhërrëfyes vendorë të licencuar, me qëllim që vizitorët të marrin informacione të sakta, profesionale dhe të besueshme për lokacionet që vizitojnë në Kosovë.

IQMT-ja ka paralajmëruar se inspektimet dhe masat ndëshkuese ndaj subjekteve që veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Turizmin do të vazhdojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…