Kusari-Lila priti në takim delegacionin e bizneseve të huaja, në fokus mundësitë për investime në Kosovë

26 gusht 2026 | 13:12

Interesi i kompanive të huaja për mundësitë që ofron Kosova për investime po shënon rritje, duke përfshirë kompani nga vendet e rajonit, Lindja e Mesme dhe Azia.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në ministri një delegacion të përbërë nga biznese nga Libani, Turqia, Rumania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në takimin e përbashkët morën pjesë përfaqësues të kompanive nga sektorë të ndryshëm, në kuadër të një delegacioni të organizuar nga “Strategic Group”, i drejtuar nga Arianit Shehu.

Kompanitë pjesëmarrëse veprojnë në fusha të ndryshme, përfshirë energjinë, bujqësinë, turizmin, montimin e konstruksioneve metalike, teknologjinë, inxhinierinë dhe sektorë të tjerë.

Gjatë takimit u diskutua për transformimin industrial që synohet të realizohet në Kosovë dhe për mundësitë konkrete që vendi ofron për investitorët e huaj.

Në këtë drejtim, u prezantuan edhe investimet që MINTI po planifikon në zhvillimin e parqeve industriale në disa komuna të Kosovës, me synim rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e infrastrukturës së përshtatshme për zhvillimin e bizneseve dhe tërheqjen e investimeve të reja.

Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion me potencial për investime, ndër të tjera për shkak të përafrimit të politikave me standardet e Bashkimit Evropian, popullsisë së re, fuqisë punëtore të kualifikuar dhe politikave fiskale atraktive.

Në takim u vlerësua se rritja e interesimit nga kompanitë ndërkombëtare krijon mundësi të reja për zgjerimin e investimeve, zhvillimin e sektorëve të rinj dhe krijimin e vendeve të punës.

Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të angazhuara për forcimin e mëtejshëm të klimës së investimeve, rritjen e sigurisë dhe besimit për investitorët dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për kompanitë vendore dhe të huaja që synojnë të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas huazimeve sezonin e shkuar, mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë,…