Limaj: Thaçit t’i vazhdohet mandati i presidentit, iu ndërpre padrejtësisht
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, duhet t’i vazhdohet mandati në krye të shtetit pas kthimit të tij nga Haga.
Limaj ka thënë për “Kosovapress” se Thaçit i është ndërprerë mandati presidencial në mënyrë të padrejtë në nëntor të vitit 2020, kur ai u nis për t’iu përgjigjur ftesës së Gjykatës Speciale.
“Ai është president i Kosovës. Ai është! Në mënyrë të padrejtë iu ka prerë mandati. Është president i Kosovës. Nuk është kryerja e mandatit… Presidentit të Republikës së Kosovës iu ka ndërprerë mandati, i detyrueshëm, për t’iu përgjigjur një ftese. Dhe kjo qe përgjigjja”, ka thënë Limaj.
Ai është shprehur se, pas kthimit të Thaçit në Kosovë, gjëja më e natyrshme do të ishte vazhdimi i mandatit aty ku është ndërprerë.
“Kështu që… kjo çka po flasim është gjëja më e natyrshme është vazhdimi, vazhdimi aty ku e ka lënë. E rëndësishme të na kthehen në Kosovë, pastaj të gjitha bëhen”, ka thënë Limaj.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale pritet të japë fjalën përfundimtare në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.



