70 mijë dollarë mbështetje për fëmijën deri në moshën 17-vjeçare, Singapori zgjeron paketën sociale

27 gusht 2026 | 14:18

Singapori po zgjeron ndjeshëm mbështetjen financiare për familjet me fëmijë. Kryeministri Lawrence Wong ka njoftuar paketën e re sociale, përmes së cilës çdo fëmijë shtetas i Singaporit mund të përfitojë rreth 70 mijë dollarë mbështetje nga shteti, nga lindja deri në moshën 17-vjeçare.

Paketa e re parashikon 62 mijë dollarë përfitime, ndërsa së bashku me skemat ekzistuese, përfshirë kontributin prej 5 mijë dollarësh në MediSave për të porsalindurit dhe pagesat vjetore të Edusave, mbështetja totale arrin në rreth 70 mijë dollarë për fëmijë.

Skema e re synon ta bëjë mbështetjen më të thjeshtë dhe më të qëndrueshme, pasi përfitimet nuk do të ndryshojnë më në varësi të rendit të lindjes së fëmijës.

Pjesa kryesore e paketës është “Baby Gift” prej 10 mijë dollarësh, i cili do të jepet në dy këste gjatë vitit të parë të jetës së fëmijës.

Më pas, familjet do të përfitojnë 2 mijë dollarë në vit, nga viti kur fëmija mbush një vjeç deri në vitin kur mbush 16 vjeç. Në total, përmes të ashtuquajturave Child Credits, familjet do të marrin 32 mijë dollarë.

Paketa përfshin gjithashtu:

5 mijë dollarë grant fillestar në “Child Development Account”;
deri në 5 mijë dollarë të tjera përmes bashkëfinancimit të qeverisë;
10 mijë dollarë shtesë në llogarinë për arsimin pas shkollës së mesme, kur fëmija mbush 17 vjeç.

Në praktikë, reforma synon që familjet të mos marrin mbështetje vetëm në momentin e lindjes, por ta përfitojnë atë në mënyrë të shpërndarë gjatë viteve të rritjes dhe edukimit të fëmijës.

Qeveria e Singaporit synon përmes kësaj mase të zbusë barrën financiare të prindërve dhe të ofrojë mbështetje më afatgjatë për shpenzimet që lidhen me kujdesin, edukimin dhe arsimin e fëmijëve.

Masa do të zbatohet edhe për fëmijët që aktualisht janë pjesë e sistemit të përfitimeve, përmes rregullimeve kalimtare.

Ndërkohë, familjet me tre ose më shumë fëmijë do të vazhdojnë të përfitojnë edhe mbështetje shtesë në fusha si shëndetësia, transporti dhe strehimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbreti 89-vjeçar i Norvegjisë, Harald, ndodhet në gjendje “jashtëzakonisht të…