A bartin përgjegjësi penale qeveritarët në detyrë për mbajtjen e dy funksioneve?
Qeveria në detyrë e Kosovës po përballet me kritika për gjoja tejkalim kompetencash në lidhje me një varg vendimesh që i mori së voni, ndërsa ndaj pjesëtarëve të saj u dorëzuan kallëzime penale për mbajtjen e funksioneve të dyfishta.
Pasi një aktgjykim i vitit të kaluar i Gjykatës Supreme e cilësoi të kundërligjshëm ushtrimin e dy funksioneve, janë shtuar pikëpyetjet nëse ata mund të hetohen edhe penalisht. Çfarë thonë ekspertët ligjorë, cilat vepra penale mund të hyjnë në konsideratë dhe deri ku shtrihet përgjegjësia e një qeverie në detyrë?
Me gjithë aktgjykimin e vitit 2025 të Gjykatës Supreme të Kosovës se ushtrimi i dy funksioneve është i kundërligjshëm, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, prej javësh është edhe deputet. Ngjashëm, ministra në detyrë janë aktualisht edhe anëtarë të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Teksa Qeveria në detyrë e Kosovës u përball me kritika për gjoja tejkalim kompetencash për shkak të disa vendimeve të fundit, janë ngritur pikëpyetje edhe nëse pjesëtarët e saj duhet të bartin përgjegjësi penale për veprimet e tyre.
Derisa deri më tani ata nuk janë prekur, kallëzimet e reja penale, të dorëzuara nga kundërshtarët e tyre politikë këtë javë, dhe aktgjykimi i gjykatës më të lartë në sistemin e rregullt ligjor të vendit kanë krijuar kushte për hetimin e tyre, sipas ekspertëve ligjorë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.
Çfarë baze kanë prokurorët për t’i ndjekur ata penalisht?
Dorëzimi i kallëzimit penal në Prokurorinë Speciale ndaj pjesëtarëve të Qeverisë në detyrë s’është diçka e re. Një gjë e tillë ndodhi edhe në marsin e 2026-tës. Dhe, deri më tani asgjë s’ka ngjarë pas kallëzimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Tash, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca bënë kallëzime të ndara penale ndaj ministrave në detyrë dhe vendimeve të tyre.
Ekspertë ligjorë thonë për REL se kryeministri dhe ministrat në detyrë “me dashje” po marrin vendime që mund të përbëjnë vepër penale e për të cilat duhet të bartin përgjegjësi, duke qenë të vetëdijshëm se Kushtetuta e Kosovës dhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme ua ndalojnë ushtrimin e funksioneve të dyfishta, dhe se Ligji për Qeverinë ua kufizon kompetencat.
Sipas tyre, prokurorët duhet të provojnë se, përmes vendimeve që marrin, duke ushtruar dy funksione, qeveritarët në detyrë po e shkelin detyrën zyrtare.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se qëllimi është element “esencial dhe i rëndësishëm” për prokurorët për ta nisur një hetim penal ndaj tyre.
“Pas aktgjykimit të Supremes, vazhdimi i funksionit të këtyre dy detyrave, marrja e vendimeve, dhe për rrjedhojë fakti se vendimet kanë ndikim, për mua përmbushet elementi i qëllimit, i cili është element vendimtar i kategorisë së veprave penale që ndërlidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsionit”, shprehet Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.
Gjykata Supreme e rrëzoi më 2025 një udhëzim administrativ të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke gjykuar se ai ishte i paligjshëm, sepse Murati po ushtronte dy funksione – të deputetit dhe të ministrit.
Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, argumenton se mbajtja e pozitës së kryeministrit dhe ministrave, nga persona të cilët janë betuar si deputetë, nuk përmbush elementet e veprës penale të moszbatimit të vendimeve gjyqësore.
Megjithatë, sipas tij, mbajtja e pozitës së kryeministrit dhe ministrave në detyrë, nga individë të betuar si deputetë, i përmbush “të gjitha elementet e figurës së veprës penale” të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414.1 të Kodit Penal të Kosovës.
Miftaraj shton se kryeministri dhe ministrat në detyrë, me vendimet e kohëve të fundit, kanë keqpërdorur detyrën dhe kanë shkelur kompetencat, duke “i sjellë përfitime vetes dhe personave të tjerë, disa nga të cilët publikisht [njihen si] persona të afërt me partinë, si dhe kanë dëmtuar persona të tjerë përmes veprimeve kundërligjore”.
Bajraktari e mbështet argumentin e Miftarajt, duke theksuar se në Kodin Penal mund të ketë elemente përmes të cilave konstatohet shpërdorimi i detyrës zyrtare.
Ai beson se Prokuroria do të nisë hetime për këtë rast.
Kodi Penal parasheh dënim me burgim prej një deri në tetë vjet për një zyrtar që i tejkalon kompetencat e tij.
Prokuroria Speciale nuk iu përgjigj pyetjes së REL nëse po i shqyrton kallëzimet penale, dhe nëse do të nisë hetim penal ndaj kryeministrit dhe ministrave në detyrë.
As Qeveria në detyrë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me kallëzimet penale ndaj saj, dhe pyetjes nëse anëtarët e saj po i tejkalojnë kompetencat.
Por, ajo është arsyetuar më herët se nuk mund ta ndalojë punën për shkak të tranzicionit politik.
Çfarë vendimesh mori Qeveria në detyrë dhe cilat janë përgjegjësitë e saj?
Ligji për Qeverinë përcakton se një qeveri në detyrë ka kompetenca të kufizuara. Në mënyrë të qartë ndalohet marrja e vendimeve të rëndësishme.
Sipas këtij ligji, një qeveri në detyrë mund t’i zbatojë vetëm aktivitetet e domosdoshme, të planifikuara në planin vjetor dhe në Ligjin për Buxhetin.
Në javët e fundit, Qeveria Kurti – në detyrë që nga shpërbërja e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, muaj më parë – ka marrë vendime për emërimin e individëve në pozita të larta drejtuese edhe pas zgjedhjeve.
Ajo ka emëruar një komision të pranimit për pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe në atë të Ministrisë se Shëndetësisë.
Po ashtu, ka ngritur komisione të ngjashme edhe për poste të tjera, përfshirë atë të drejtorit ekzekutiv për Thesarin e Kosovës. Përveç emërimeve, Qeveria në detyrë ka marrë edhe vendime që prekin pronën publike, duke ndarë tokë dhe parcela për shfrytëzim.



