Avokati Vata ndalohet në Serbi për shkak të logos së UÇK-së dhe fotografisë së Hashim Thaçit
Avokati nga Kosova, Labinot Vata, ka bërë me dije se është ndaluar nga policia serbe gjatë një udhëtimi tranzit nëpër Serbi, pasi zyrtarët i kanë parë në telefon logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe një fotografi të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Vata ka treguar se kjo ishte hera e parë që udhëtonte tranzit nëpër Serbi, ndërsa ka thënë se gjatë kontrollit policia serbe ka reaguar ashpër pasi ka parë përmbajtjen në telefonin e tij.
“Në udhëtimin tim të parë tranzit nëpër Serbi, për në Kroaci, gjatë një kontrolli nga policia serbe, ma panë telefonin me logon e UÇK-së dhe foton e Hashim Thaçit…”, ka shkruar Vata në “Facebook”.
Sipas tij, zyrtarët serbë e kanë akuzuar se ka provokuar shtetin serb duke mbajtur në telefon simbole të UÇK-së, të cilën ata e kanë cilësuar si “organizatë terroriste”, si dhe fotografi të personave që, sipas pretendimeve të tyre, kanë vrarë familjarë të tyre.
“U çmendën. Më thanë se e kam provokuar shtetin me një ‘organizatë terroriste’ dhe me njerëz që, sipas tyre, ua kanë vrarë familjarët”, ka shkruar ai.
Avokati ka bërë me dije se më pas është dërguar në një dhomë ndalimi, ku, sipas tij, i është thënë se do të dërgohej në Beograd për t’u intervistuar nga inspektorët dhe se mund të qëndronte deri në një muaj në paraburgim.
“Më futën në dhomën e ndalimit, më thanë se do të më dërgonin në Beograd për të dhënë intervistë para inspektorëve, se do të qëndroja një muaj në paraburgim, e çka s’më thanë…”, ka shkruar Vata.
Ai ka thënë se pas një kohe është liruar, duke vlerësuar se në këtë mund të ketë ndikuar edhe fakti që është avokat. Sipas tij, autoritetet serbe ia kanë kthyer edhe telefonin.
“Pas një kohe, papritmas, me gjasë ndikoi kartela e avokatit, më liruan dhe, për fat, ma kthyen edhe UÇK-në edhe Thaçin”, ka shkruar Vata.
Avokati Vata u ka bërë thirrje personave që mbajnë simbole të UÇK-së ose fotografi të Hashim Thaçit që të kenë kujdes gjatë kalimit nëpër Serbi.
“Ata që s’munden me e heqë UÇK-në dhe Thaçin, mos kaloni kah Serbia. Për mua, ishte hera e parë dhe e fundit”, ka shkruar Vata.



