Daut Haradinaj kërkon reagim urgjent për sektorin e qumështit: Masat po e paralizojnë industrinë

27 gusht 2026 | 10:12

Zyrtari i lartë i Aleancës, Daut Haradinaj, ka kërkuar reagim urgjent të institucioneve për situatën në sektorin e qumështit, duke paralajmëruar për pasoja të rënda për prodhuesit vendorë, fermerët dhe konsumatorët.

Haradinaj ka thënë se sektori i qumështit është një nga shtyllat kryesore të bujqësisë dhe ekonomisë së Kosovës dhe se institucionet duhet të krijojnë kushte për zhvillimin e prodhimit vendor dhe eksportit.

Sipas tij, mbrojtja e konsumatorit dhe etiketimi korrekt janë të domosdoshme, por masat ndaj prodhuesve duhet të jenë proporcionale dhe të bazuara në ligj, në rastet kur produktet janë të deklaruara qartë dhe i plotësojnë standardet.

“Prodhuesit vendorë po përballen me një situatë shumë të rëndë”, ka shkruar Haradinaj, duke pretenduar se masat e ndërmarra nga institucionet dhe agjencitë përgjegjëse po e paralizojnë industrinë e qumështit.

Ai ka theksuar se pasojat po vërehen edhe në treg, ku në disa markete, sipas tij, janë krijuar mungesa të produkteve, ndërsa disa linja të prodhimit janë ndalur. Haradinaj ka thënë se, në të njëjtën kohë, kompanitë vazhdojnë të kenë shpenzime për paga, energji, kredi dhe obligime ndaj fermerëve.

Haradinaj e ka cilësuar si veçanërisht shqetësuese faktin që masat po zbatohen gjatë muajit gusht, kur prodhimi dhe grumbullimi i qumështit janë në kulm.

Sipas tij, kjo mund të ndikojë në të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe të dëmtojë fermerët, përpunuesit dhe konsumatorët.

Daut Haradinaj ka ngritur shqetësimin edhe për vështirësitë që prodhuesit vendorë vazhdojnë t’i kenë në eksport, ndërsa tregu i Kosovës mbetet i hapur për produkte të importuara.

Në fund, ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të zhvillojnë dialog me industrinë dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme që, sipas tij, do të mundësojnë mbrojtjen e konsumatorit dhe njëkohësisht të prodhuesit vendor.

“Një industri e fortë e qumështit është në interes të gjithë Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Mbeturinave "Pastrimi" ka njoftuar se gjatë mbrëmjes…