Haxhiu përshëndet vendimin e KGjK-së për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për të mos i rikthyer në sistemin gjyqësor gjyqtarët dhe stafin administrativ serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Haxhiu ka thënë se, pas dërgimit të propozimeve nga KGJK-ja, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për lirimin e tyre nga detyra.
“Përshëndes propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sapo Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i dërgojë propozimet, do të ndërmarrë veprime për lirim nga detyra të tyre”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Vendimi i KGjK-së është marrë në mbledhjen e së mërkurës, ku kërkesa e gjyqtarëve dhe stafit serb për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në sistemin gjyqësor është refuzuar me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim.
Kryesuesi i KGjK-së, Rrustem Thaqi, ka abstenuar, ndërsa anëtarja Ivana Milenkoviq ka votuar kundër.
Pas këtij vendimi, emrat e gjyqtarëve dhe stafit që kishin dhënë dorëheqje do t’i dërgohen ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për procedimin e lirimit të tyre nga detyra.



