Më 7 shtator nis gjykimi ndaj Fatmir Shehollit

27 gusht 2026 | 15:04

Më 7 shtator, në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh.

Nga kjo gjykatë thanë për Radion Evropa e Lirë se seanca do të nisë në orën 09:30 dhe do të jetë e hapur për publikun.

Njoftimi për nisjen e gjykimit ndaj Shehollit vjen disa ditë pasi ndaj tij, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për dy vepra penale, spiunazh dhe shantazh.

Sheholli akuzohet se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), dhe për veprën tjetër penale, akuzohet se e ka shantazhuar një person për një shumë prej 13.000 eurosh.

Në aktakuzën prej 80 faqesh, Prokuroria pretendon se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga BIA nga një datë e pacaktuar deri më 9 tetor 2025 dhe i ka raportuar Bojan Dimiqit, drejtor i Drejtorisë kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

Sheholli akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe i ka përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna këtij agjenti të BIA-s informacione dhe dokumente që lidhen me aktivitete politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

  • LEXONI KËTU detaje të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur ndaj Shehollit

Sheholli u arrestua në tetor të vitit 2025 nën dyshimin për spiunazh.

Ai vazhdon të mbahet në paraburgim.

Rasti i Shehollit është një nga disa raste të spiunazhit të dyshuar për Serbinë që autoritetet kosovare kanë hetuar viteve të fundit.

Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai është deklaruar fajtor për spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), ndërsa Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi po gjykohen, gjithashtu, nën akuzat për spiunazh për Serbinë.

Ndërkaq, në gusht të këtij viti, Fehim Sali u arrestua nën akuza për spiunazh për Serbinë. Prokuroria Speciale pretendon se ai ka mbledhur, ndër të tjera, informacione për persona që i përkasin sektit vehabi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e ka bërë publike listën…