Abdixhiku reagon në “Facebook”: Kandidatura e Sejdiut, lajm i mirë për Kosovën
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot, po i japin republikës një zgjidhje të mbarë, të përgjegjshme dhe dinjitoze.
Ai ka thënë se pas përfundimit të negociatave të gjata, është i lumtur të njoftojë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta propozojnë bashkërisht profesor dr. Bekim Sejdiun kandidat për president të Republikës së Kosovës.
“Ky është, para së gjithash, një lajm i mirë për Kosovën. Vendi ynë ka kaluar muaj të tërë në pasiguri politike dhe institucionale. Institucionet kanë mbetur të bllokuara, kohë e çmuar është humbur gjersa qytetarët, me të drejtë, kanë pritur nga ne që ta vendosim interesin e shtetit mbi llogaritë partiake. Pikërisht këtë kemi bërë. Emri i profesor Sejdiut u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kur interesi i Republikës vendoset mbi interesin partiak, mund të gjenden njerëz dhe zgjidhje që bashkojnë. Në këtë pikë dua t’i falënderojë të dy ekipet diskutuese për mbështetjen në këtë proces; për përpjekjet konstruktive në një proces të vështirë dhe kompleks”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka shtuar se profesor Sejdiu është jurist i shquar, diplomat me përvojë të jashtëzakonshme në SHBA e Turqi që nga qeverisjet e para të LDK-së; ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe njohës i thellë i shtetit dhe i së drejtës.
“Bekim Sejdiu e do Republikën, beson në Kushtetutën e saj dhe në orientimin tonë të palëkundur euroatlantik; në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetar në bindje, me rrënjë në familje me ideale të larta kombëtare; mbi të gjitha, njeri me integritet, maturi dhe pavarësi – nga secila palë – virtyte që i duhen institucionit më të lartë përfaqësues të vendit. Prej tij presim të jetë president i Republikës dhe i të gjithë qytetarëve, jo përfaqësues i dy partive apo i një shumice të përkohshme. Presim ta mbrojë rendin kushtetues, ta ruajë unitetin e vendit dhe të veprojë me pavarësi, urtësi dhe përgjegjësi në çdo rrethanë. Presim që Kosovën ta përfaqësojë me dinjitet para aleatëve tanë; të mbrojë pa asnjë lëkundje orientimin euroatlantik të shtetit; të jetë zë i arsyes në kohë përplasjesh dhe faktor bashkues kur dallimet politike e shoqërore bëhen të mëdha”, është shprehur ai, duke shtuar se LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak. “Këtë e kemi besuar gjithmonë. Këtë po e dëshmojmë edhe sot. Sot, përgjigja jonë ndaj jostabilitetit, kaosit e dyshimeve, është një Republikë me president dinjitoz; e me një LDK, që qëndron në origjinë – rugoviste e institucionaliste. Ajo jep individë me integritet; edhe kur nuk merr asgjë në kthim për veten. Sepse e do shtetin më shumë se sa veten”, ka deklaruar Abdixhiku.



