Kurti deklarohet për herë të parë për Bekim Sejdiun: Shpresojmë që gjithçka do të shkojë mbarë e mirë
Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti foli për herë të parë për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të vendit, pasi u pyet sot. Kurti tha se “po mundohemi për të mirë, e po punojmë mbarë”.
“Tash kemi me shku edhe në një aktivitet tjetër. Kemi edhe një mbledhje të brendshme edhe gjithçka shpresojmë që do të shkojë mbarë e mirë, sepse po mundohemi për të mirë, e po punojmë mbarë”, tha ai.
Për kandidaturën e Sejdiut, Kurti u dakordua dje me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kurti qëndroi i heshtur dje në një konferencë të përbashkët për media me Abdixhikun, ku u shpall arritja e marrëveshjes për çështjen e Presidentit.
Abdixhiku foli dje para mediave në Kuvend, duke e falënderuar Kurtin dhe LVV-në për “konstruktivitet” gjatë bisedimeve. Pas tij e mori fjalën kandidati për President, Bekim Sejdiu, ndërsa Kurti qëndroi i heshtur.
Në LVV sonte do të ketë diskutime partiake për marrëveshjen e arritur me LDK-në për çështjen e Presidentit.
Ndërkohë, bë selinë e LDK-së u mbajt sot një mbledhje e Kryesisë ndërsa tani është duke u mbajtur mbledhja e Grupit Parlamentar.
Dy nënkryetarë të LDK-së, Imri Ahmeti dhe Gazmend Muhaxheri, thanë se emri i Bekim Sejdiut do të duhej të diskutohej paraprakisht në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.
Zyrtarët e LDK-së të afërt me Abdixhikun bënë thirrje që të gjithë deputetët e kësaj partie të votojnë për zgjedhjen e Bekim Sejdiut President.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i pyetur dje nëse do ta votojë Sejdiun për President, iu përgjigj shkurt Gazetës Express: “JO”. Më pas shkroi në një postim në Facebook se “nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional”. Tha se “Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikues” dhe se kjo kandidaturë “nuk e përmbush këtë kriter”.
LDK-ja lëshoi më herët sot një deklaratë në faqen e saj zyrtare në Facebook, në emër të Kryesisë së partisë, duke thënë se nominimi i Sejdiut për President u mbështet “me unanimitet të plotë” dhe u bëri thirrje deputetëve të saj që gjatë procesit të votimit “të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.



