Latifi: Marrëveshja për presidentin e kthente LDK-në në “servis të thjeshtë të Kurtit”
Analisti Blerim Latifi ka komentuar përplasjet brenda LDK-së pas deklarimit të gjashtë deputetëve se nuk do ta mbështesin Bekim Sejdiun për president.
Sipas Latifit, marrëveshja politike mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut synonte të shmangte zgjedhjet e reja dhe të prodhonte një president pa mbështetje të drejtpërdrejtë partiake.
Ai shkroi se Kurti e dinte se “dy njerëzit që donin me çdo kusht t’i shmangnin zgjedhjet e reja ishin Abdixhiku dhe Vjosa Osmani”.
Latifi tha se formula e një “presidenti konsensual” u shërbente interesave të të gjitha palëve në negociata, por e vendoste LDK-në në pozitë të pafavorshme.
Sipas tij, marrëveshja “e kthente LDK-në në një servis të thjeshtë për pushtetin e Kurtit dhe për mbijetesën personale politike të Abdixhikut e Osmanit”.
Për këtë arsye, Latifi e interpretoi kundërshtimin e gjashtë deputetëve si refuzim të këtij roli.
“Një parti mund të forcohet vetëm duke pasur identitetin, qëndrimet dhe interesat e veta politike”, përfundoi ai.



